
Ministria e Shëndetësisë: Ja shkaku i vdekjes së foshnjes 16-muajshe, të infektuar me Covid-19!
Dritare.net
Një tjetër rekord infektimesh është regjistruar ditën e sotme në vendin tonë. 836 raste të reja dhe 15 viktima mes tyre edhe një foshnje 16-muajshe.
Foshnja trajtohej në pavijonin Covid në Pediatrinë e Tiranës për gjendjen dhe shenjat klinike për S. Kawasaki. Gjendja e fëmijës u rëndua brenda 24 orëve dhe më pas është dërguar në terapinë intensive ku, me gjithë mjekimin me terapinë e plotë të trajtimit dhe përpjekjet e mëdha të mjekëve të reanimacionit, nuk ka mundur të mbijetojë, si pasojë e një komplikacioni të rrallë (Sindroma Inflamatore Multisistemike) ndër komplikacionet më të rralla që haset në moshën fëmijërore nga Covid-19.
Fatkeqësisht humbën jetën edhe 14 qytetarë të tjerë në spitalet COVID: një 45-vjeçar, një 80-vjeçar, një 82-vjeçar nga Tirana, një 49-vjeçar nga Lezha, një 58-vjeçare nga Saranda, një 61-vjeçare dhe një 70-vjeçar nga Shkodra, një 61-vjeçar nga Kukësi, një 65-vjeçar nga Mati, një 65-vjeçar nga Dibra, një 66-vjeçar dhe një 72-vjeçare nga Pogradeci, 71-vjeçar nga Fieri, 86-vjeçar nga Lushnja.
Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 436 pacientë, 10 në terapi intensive, 5 pacientë janë të intubuar./K.C/dritare.net

















