Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministri Blendi Gonxhja çel sezonin turistik në Pogradec, mbërrin me hidroplan nga Rinasi në liqenin e Ohrit

Ministri Blendi Gonxhja çel sezonin turistik në Pogradec,

Ministri i Turizmitt Blendi Gonxhja, mbërriti sot në Pogradec me hidroplan në një fluturim simbolik nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës drejt liqenit të Ohrit, duke shënuar një risi për turizmin dhe transportin ajror në Shqipëri.

Udhëtimi, i realizuar për herë të parë në vetëm 20 minuta, u zhvillua së bashku me Maksim Ethemaj, drejtues i Aviacionit Civil, në kuadër të çeljes së sezonit turistik veror në qytetin liqenor. Sipas ministrit, kjo nismë demonstron potencialin e Shqipërisë për zhvillimin e linjave turistike panoramike dhe të shërbimeve të taksive ajrore, si për turistët e huaj ashtu edhe për lëvizjet brenda vendit.

“Qytetet dhe zonat tona bregdetare e liqenore mund të shndërrohen në stacione të rëndësishme për udhëtimet me hidroplanë dhe mjete të tjera fluturuese turistike. Me investime modeste dhe infrastrukturë të përshtatshme, Shqipëria mund të ofrojë shërbime moderne që rrisin vlerën e turizmit dhe përmirësojnë ndërlidhjen mes destinacioneve,” u shpreh ministri Gonxhja.

Pas mbërritjes në Pogradec, ministri zhvilloi takime pune me operatorët turistikë të zonës, së bashku me kryetarin e Bashkisë, Ilir Xhakolli. Diskutimet u përqendruan te ecuria e sezonit turistik, menaxhimi i plazheve bregliqenore, përmirësimi i shërbimeve për vizitorët, ruajtja e pastërtisë dhe mbrojtja e mjedisit.

Gonxhja vlerësoi kontributin e sipërmarrësve lokalë dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Ai theksoi se Pogradeci mbetet një nga destinacionet më të veçanta të vendit, me potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe kulturor, ndërsa institucionet do të vijojnë të mbështesin projektet që fuqizojnë turizmin, promovimin e trashëgimisë dhe lidhjen e destinacioneve turistike në mbarë Shqipërinë.

Vizita u shoqërua edhe me inspektime në terren mbi projektet në zhvillim, të cilat synojnë rritjen e cilësisë së ofertës turistike dhe zgjerimin e mundësive për vizitorët vendas dhe të huaj./dritare/net