
Meta thirrje qeverisë dhe opozitës: Vini në kontroll pandeminë, merrni masa më rigoroze!
Dritare.net
Presidenti i vendit, Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka folur për situatën me pandeminë. Meta i ka kërkuar qeverisë, opozitës dhe sipërmarrjeve hartimin e një strategjie për të vënë në kontroll përhapjen e pandemisë. Meta u shpreh se nuk duhet nënvlerësuar aspak marrja e masave rigoroze, pasi pandemia mund të kthehet në kërcënim më të madh për vendin, në ditët në vijim.
“Duhet të mos humbim përqendrimin, në përballimin më efikas të pandemisë, pasi shtimi i rasteve dhe viktimave kërkojnë urgjentisht reflektim serioz e të përgjegjshëm nga të gjithë. Qeveria, opozita, sipërmarrjet dhe çdo qytetar, duhet të kenë një strategji të re me protokolle të përcaktuara për të vënë në kontroll përhapjen në rritje të pandemisë, edhe komunikim edhe më efikas me vendet fqinje, të rajonit, OBSH dhe vendet e BE për të harmonizuar veprimet dhe shkëmbyer informacionin në kohë reale, që kjo strategji e re të na mundësojë daljen e sigurt dhe sa më të shpejt nga kjo situatë. Të mos nënvleftësojmë marrjen e masave edhe më rigoroze për përballimin e pandemisë, pasi mund të kthehet në kërcënim edhe më të madh në ditët që vijnë dhe për t’u angazhuar të gjithë për plotësimin e kushteve për anëtarësim në BE. Presidenca gjermane është mundësi e rëndësishme për ne që gjatë 6 muajve të ecim para të tregojmë vullnet e vendosmëri për përballimin e kushteve dhe çdo tension artificial që shmang vëmendjen nga këto prioritete do të ishte përgjegjësi mjaft serioze, e para kushton jetë njerëzish dhe e dyta i kushton vendit për realizimin e ëndrrës së përbashkët të shqiptarëve.”, tha Meta.
Presidenti tha ndër të tjera se, nëse është e nevojshme do të ketë një tjetër mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Janë zhvilluar disa mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare dhe padyshim dhe në të ardhmen nëse do të duhet. Kam kërkuar një takim zyrtar me ministren e shëndetësisë dhe besoj sa më shpejt do e realizojmë në mënyrë që të gjykojmë së bashku se cila do jetë mbështetja më e madhe që mund të japë presidenti. por çdo qytetar duhet të sillet vetë në mënyrë më të përgjegjshme, të kujdesshme për jetën e tij, të familjarëve, miqve kudo që jeton e punon pasi duket që ka një shkujdesje që ka sjellë një përkeqësim të treguesve dhe kjo nuk na ndihmon të hapemi as me vendet e BE. Nëse do jetë e nevojshme një mbledhje e tillë patjetër që do jetë institucioni i gatshëm për të bërë një gjë të tillë. Duhet më shumë transparencë, profesionalizëm dhe masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor i cili është në vijën e parë të përballjes me këtë pandemi.", u shpreh presidenti./K.C/dritare.net

















