
Meta: Nga sot më konsideroni anëtar të Europa Nostra
Dritare.net
Presidenti Ilir Meta përmes një postimi ka njoftuar se ka zhvilluar një konferencë me përfaqësuesit e organizatës “Europa Nostra”.
Meta shkruan në Facebook se, ka pasur një bashkëbisedim me zëvendëspresidentin ekzekutiv, z.Guy Clausse, Sekretaren e Përgjithshme, znj.Sneska Quaedvlieg-Michailovic, dhe anëtarin e bordit, Profesor Paolo Vitti.
Meta tha se ranë dakord për një hetim ndërkombëtar për çështjen e Teatrit dhe se nga sot mund ta konsiderojmë atë, pjesë të organizatës.
“Mirënjohje për angazhimin dhe vëmendjen që “Europa Nostra” ka treguar ndaj promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë.
Duke u ndalur në çështjen e Teatrit Kombëtar, e falenderova “Europa Nostra” për mbështetjen krah “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” në mbrojtje të këtij kompleksi dhe gjithë zonës historike të Tiranës.
Theksova se shembja e paligjshme e Teatrit Kombëtar është çështje kushtetuese, e trashëgimisë historike dhe identitetit kombëtar, tashmë edhe një çështje europiane.
Ramë dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një HETIMI NDËRKOMBËTAR mbi këtë çështje dhe informimin e mëtejshëm të niveleve më të larta europiane.
Sepse siç me të drejtë tha Profesor Paolo Vitti: “Europa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet. Teatri Kombëtar ishte dëshmori i parë i Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, por demokracia dhe kultura europiane do fitojë”.
NGA SOT MË KONSIDERONI EDHE MUA ANËTARIN MË TË RI TË “EUROPA NOSTRA”!”, shkruan Meta./E.B-dritare.net

















