
Meta kthen ligjin që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit: U nënshkrua fshehurazi në Kamzë
Dritare.net
Presidenti Meta ka kthyer ligjin që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit 'Nënë Tereza' me 13 vjet. Presidenti i vendit, e cilësoi këtë ligj antikushtetues. Kreu i shtetit deklaroi se marrëveshja është bërë e fshehtë për shkak të paligjshmërisë së saj.
“Kuvendi ka ndryshuar marrëveshjen e koncensionit të Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza. Ky ligj ka nivelin më të lartë të antikushtetueshmërisë dhe korrupsionit. Ky ligj është në kundërshtim me rregullat dhe interesat e shtetit shqiptar, prandaj edhe kontrata shtesë e koncensionarit është mbajtur e fshehtë. Kjo është skandaloze dhe antiligjore. Po bëj publike disa elementë të kësaj marrëveshje: Ligji kaloi në 27 janar 2021 në Kuvend nga Qeveria dhe po në atë datë e ka futur Konferenca e Kryetarëve edhe pse nuk u kërkua procedurë e përshpejtuar. Marrëveshja u nënshkrua në Kamzë në 26 janar. Qeverisë iu desh vetëm një ditë që ta firmosë e propozojë Kuvendit për miratim. Ndërkohë që Kuvendi e ka shqyrtuar në komisione në 4 shkurt dhe miratuar në Kuvend në 8 shkurt. Gjithçka u bë pa asnjë lloj gare. Kjo marrëveshje e bërë më kaq nxitim zgjat pa asnjë lloj gare me 13 vite afatin e koncesionit të Rinasit që duhet të përfundonte pas 6 vitesh. Qeveria pa asnjë lloj konkurrimi i ka shtuar 13 vite tjera dhe përfundon deri në 2040”, tha Meta./L.F-dritare.net

















