Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mbi 100 mijë protestues, paralizohet Beogradi!

Mbi 100 mijë protestues, paralizohet Beogradi!

Një protestë masive e udhëhequr nga studentët dhe e mbështetur nga qytetarët po zhvillohet në Beograd nën sloganin “15 për 15”, duke iu referuar 15 viktimave që humbën jetën nga shembja e një tende në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Sipas planit të studentëve, tubimi kryesor do të bëhet në orën 16:00 para Parlamentit të Serbisë, ndërsa aty afër do të vendoset një podium në sheshin Slavija.

Për ditë të tëra, studentët kanë marshuar nga pjesë të ndryshme të vendit dhe deri të premten në mbrëmje, të gjithë kishin mbërritur në Beograd. Disa vrapuan deri në kryeqytet, të tjerë mbërritën me biçikletë, shumë ecën në këmbë, ndërsa një numër i madh prej tyre përdorën transportin publik. Mijëra qytetarë i pritën në qendër të qytetit dhe tubimi zgjati për orë të tëra, duke marrë mbulim nga mediat ndërkombëtare.

Kjo është protesta e katërt e madhe në vend, ndërsa tubime më të vogla vazhdojnë të mbahen çdo ditë në qytete të shumta anembanë Serbisë. Këto protesta mbahen në mbështetje të kërkesave të studentëve për llogaridhënie institucionale dhe për t’i dhënë fund korrupsionit, që sipas tyre çoi në tragjedinë që mori 15 jetë.



Përveç kësaj, qytetarët anembanë Serbisë mbajnë një moment heshtjeje çdo ditë në orën 11:52, në kohën e saktë kur tenda u shemb në Novi Sad, duke qëndruar në nderim për 15 minuta – një për çdo viktimë.

Përpara se të arrinin në Beograd, studentët marshuan dhe vrapuan në Novi Sad, Kragujevac dhe Nish – tre nga qytetet më të mëdha universitare të Serbisë.

Që herët në mëngjes, shumë qytetarë dhe studentë kanë ardhur në Beograd, kryesisht duke përdorur transportin privat, pasi nisjet e shumta të autobusëve janë anuluar. Nga ora 10 e mëngjesit, turma të mëdha ishin mbledhur tashmë në katër vende të caktuara nga ku do të marshonin drejt qendrës së qytetit./E.P-dritare.net