
Mbërrijnë 100 mijë dozat e vaksinës, Rama: Tentativa për të ndalur vaksinimin, një çmenduri!
Dritare.net
Në aeroportin Nënë Tereza mbërrin një sasi e konsiderueshme e vaksinave Anti-Kovid. Kryeministri Rama shprehet se qeveria është më e vendosur se kurrë për të vijuar me ritme të larta vaksinimin masiv. Për shkak të bllokimit të aeroportit, 100 mijë dozat mbërritën një ditë me vonesë. Rama e konsideron këtë një tentativë të çmendur për bllokimin e fushatës së vaksinimit dhe nxitjen e rrëmujës në prag të zgjedhjeve.
“Me një ditë vonesë për shkak të tentativës çmendurake për bllokimin e fushatës së vaksinimit dhe nxitjen e rrëmujës në prag të zgjedhjeve, mbërrijnë 100,000 vaksina të tjera anticovid. Më të vendosur se kurrë për të vazhduar me ritme të larta vaksinimin masiv dhe për të garantuar një sezon turistik të lehtësuar e me të ardhura të larta për Shqipërinë”, shkruan kryeministri Rama./L.F-dritare.net

















