
Ja çfarë thotë ministrja Manastirliu për vdekjen e dy të rinjve sot, nga Covid-19
Dritare.net
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ftuar në emisionin "Shqip show" në DritareTv u pyet nga gazetarja, Rudina Xhunga për vdekjet e dy pacientëve të rinj nga kovidi, te spitali “Shefqet Ndroqi”. Për rastin e 17-vjeçarit, ministrja tha se, ai shkoi në gjendje të rëndë në spital dhe Covid-19 i kishte prekur mushkëritë.
Rudina Xhunga: Sot që flasim ndodhën dy vdekje tragjike, sepse ishin moshë e re, të dy nga Elbasani. Humbi jetën një 17-vjeçar. E pabesueshme, aq i ri dhe pa sëmundje shoqëruese. Ndërkohë një 32-vjeçare, që lindi një fëmijë në muajin e 7-të, ka humbur jetën. Gjë që të frikëson, për faktin se, mos te moshat e reja te të cilat nuk ka pse të ketë fatalitete, kur nuk kanë as sëmundje bashkëshoqëruese, diçka nuk shkon në protokollin tonë, ku është problemi?
"Ngjarje shumë të hidhura. Çdo humbje jete është një humbje e madhe për të gjithë ne, për familjen dhe shoqërinë. Edhe në aspektin e moshës, por edhe në aspektin njerëzor çdo humbje është fatalitet. Aq më tepër në rastin ku ju flisni, dy humbjet e sotme, me të vërtetë janë trajtuar jo në dinamikë nga strukturat spitalore , spitali “Shefqet Ndroqi” ku pacientët morën shërbim. Rasti i humbjes së djalit 17-vjeçar ishte rast i cili, me sa më është raportuar erdhi në gjendje të vështirë, me mushkëri të prekura. Ky është edhe rasti kur i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mos neglizhojnë asnjë simptomë, për të mos lënë vetën pas dore. Është një problematikë që më pas mund të shkaktojnë probleme të rënda shëndetësore. Ndaj bëj një thirrje dhe apel për të gjithë qytetarët që t’i drejtohen Urgjencës Kombëtare 127 dhe për të bërë vlerësim në rast kur ndjejnë se kanë shqetësime. Kush dyshon se është infektuar me koronavirus të kontaktojë mjekun e familjes. Është e vetmja mënyrë që të përgjigjemi nëpërmjet protokolleve bashkëkohore. Nuk ka asnjë medikament që mungon për trajtimin e kovidit.",- u shpreh ministrja Manastirliu në emisionin Shqip në DritareTv. Emisioni do të jepet sonte në orën 20:00 live në Youtube DritareTv, si dhe në Facebook dritare.net dhe Instagram dritare_net./K.C/dritare.net

















