
Manastirliu flet për rastin e mjekut Edvin Prifti!
Dritare.net
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte sot e ftuar në "Shqip show" nga Rudina Xhunga, në Dritare Tv. Në lidhje me rastin e mjekut Edvin Prifti, cili ndodhet i arrestuar, ministrja tha se në këto raste duhet të flasë vetëm drejtësia.
Manastirliu:Nuk e di a u politizua si rast çështja e mjekut Edvin Prifti. Unë në politikë por mbi të gjitha në krahun politik që jam, si përfaqësuese e Partisë Socialiste, ne e kemi thënë që në fillim dhe nuk i lëvizim asaj që kemi thënë: ne besojmë në Reformën në Drejtësi, ne besojmë te drejtësia e drejtë. Dhe kur drejtësia të flasë, patjetër do të flasim dhe ne. Dhe nuk besoj që as komentet në studiot televizive mbi raste që ende duhet të flasë drejtësia, duhet të komentohen. Kështu që, le të flasë drejtësia, dhe besoj se kjo i bën nder të gjithëve. I bën nder sistemit, na bën nder ne, dhe e kam thënë gjithmonë, janë lajme të mira kur një qytetar denoncon. Kudo qoftë, në media, emisione investigative, të denoncojë pranë drejtorive të spitalit, te unë personalisht, ne i ndjekim dhe do t’i ndjekim. Sepse vërtet del një rast, si denoncim në një emision investigativ, por janë me dhjetëra raste që ne i kemi ndjekur. Madje janë të shumta rastet që janë iniciuar nga ne në Policinë e Shtetit, Prokurori, për t’u ndjekur dhe për të dalë e vërteta. Për t’u eliminuar dhe për t’u hequr një herë e përgjithmonë këta çebanë nga sistemi shëndetësor. Dhe këtu duhet bashkëpunim me qytetarët. Ne jemi një me qytetarët, dhe si të tillë duhet të angazhohemi për të pastruar dhe forcuar sistemin shëndetësor. Ndërkohë që jemi duke transformuar sistemin tonë shëndetësor, me investime, me modele të reja dhe me atë çfarë ne jemi duke bërë sot dhe do të bëjmë edhe në mandatin e tretë.
Rudina Xhunga: Ndërkohë, juve personalisht ju ka ardhur keq për rastin Prifti duke e njohur besoj sepse ai ishte shef i Kardiokirurgjisë, ju keni pasur njohje me të dhe e njihni cilësinë e punës së tij?
Manastirliu: Unë kam një marrëdhënie të jashtëzakonshme me mjekët dhe infermierët e sistemit shëndetësor. Kam pasur nderin dhe kam nderin t’i përfaqësoj sot si Ministre e Shëndetësisë, ndërkohë që kam pasur nderin që për më shumë se tre vite, të drejtoj qendrën tonë më të madhe shëndetësore, QSUT-në. Në 2013, s’mund të ma thotë njeri se në çfarë gjendje mjerane ishte ai kompleks spitalor, në çfarë gjendje e kishin katandisur ata që sot flasin për shëndetësinë se si duan ta bëjnë që kur e kishin nuk bënë asgjë. Personalisht, ne kemi bërë më të mirën për të ringjallur atë trupin e lodhur të shëndetësisë që gjetëm në 2013. A ka në këtë trup qeliza kancerogjene? Për fat të keq ende ka, të cilat po trajtohen dhe kurohen me kujdes. Për sa i përket marrëdhënies, në respekt të të gjithë bashkëpunëtorëve të mi marrëdhënia me ta, qoftë shefa shërbimi në QSUT, qoftë mjekë, pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, është shumë e mirë, pasi ne na drejton vetëm një qëllim: ofrimi i një shërbim i cilësor të qytetarit”, u shpreh Manastirliu në Shqip Show./L.F-dritare.net

















