
Lonely Planet: 15 gjërat më të mira që mund të bëni në Shqipëri
Dritare.net
Shqipëria, perla e fshehur e Ballkanit, ofron një përzierje magjepsëse të peizazheve mahnitëse, historisë së pasur dhe mikpritjes së ngrohtë.
Në artikullin e saj të fundit, media e njohur e udhëtimit Lonely Planet, nxjerr në pah destinacionet që duhen vizituar në vend, nga plazhet e virgjëra të Rivierës Shqiptare deri te rrënojat e lashta të Butrintit.
Italia, Greqia dhe Kroacia duhet t’i bëjnë vend Shqipërisë – është koha e saj të shkëlqejë. Vendi i Ballkanit jugperëndimor është bërë viral për ujërat e kristalta të plazheve – duke tërhequr një rrymë të vazhdueshme turistësh çdo verë. Por kjo nuk është gjithçka për të ofruar ky vend i vogël. Eksploroni kryeqytetin e lulëzuar të Shqipërisë, Tiranën, shkoni në një bar dhe vizitoni muzetë e saj bunker, të lënë pas nga periudha e diktaturës 45-vjeçare e vendit.
Shkoni në plazhet përgjatë Rivierës Shqiptare
Plazhet me rërë të bardhë dhe me guralecë të Shqipërisë, përgjatë bregdetit të saj perëndimor ia vlejnë të përmenden. Ka ujë të kristaltë, ishuj ku mund të shkohet me not dhe ushqim deti të shijshëm me çmime të arsyeshme. Uji më i kaltër është brenda dhe rreth qytetit të Ksamilit, në bregdetin jugperëndimor të Jonit, por ka shumë plazhe për të eksploruar. Shkoni në në plazhet si Gjipe, Akuariumi dhe në Shëngjin, ose bëni një udhëtim me varkë nga Himarë, në plazhe të izoluara pa njeri tjetër përreth.
Kini kujdes se çfarë thoni në muzeun e spiunazhit të qeverisë
Për gati gjysmën e shekullit të 20-të, Shqipëria u sundua nga një diktaturë brutale, nën grushtin e hekurt të udhëheqësit Enver Hoxha. Gjatë asaj kohe, Shqipëria ishte e izoluar nga bota dhe shumica e shqiptarëve nuk lejoheshin të largoheshin nga vendi. Shihni shkallën në të cilën qeveria spiunoi qytetarët e saj në muzeun magjepsës të Shtëpisë së Gjetheve në Tiranë.
Shihni afreske fantastike në xhamitë dhe kishat shqiptare
Meqenëse feja nuk u lejua gjatë diktaturës, vendi ka një marrëdhënie unike me besimin dhe i trajton me respekt popullsinë e tij të madhe të myslimanëve, të krishterëve dhe bektashinjve. Vizitoni këto vende lutjeje në të gjithë vendin, duke përfshirë xhaminë Et’hem Bej të Tiranës, e cila ka afreske të mahnitshme brenda. Gjithashtu ia vlen të udhëtoni në jug drejt Voskopojës, e cila pavarësisht nga së është një qytet i vogël, ka një përqendrim të madh kishash të mbushura me afreske.
Vizitoni zonën e bareve në Tiranë
Ndërsa shqiptarët e zakonshëm jetonin në kushte të vështira, Hoxha dhe miqtë e tij u strehuan në një lagje të bukur, plot pemë në Tiranë, e cila ishte e mbyllur për pjesën tjetër të publikut. Pas diktaturës në fillim të viteve nëntëdhjetë, dyert e lagjes Blloku u hapën dhe u kthye shpejt në lagjen më moderne në vend, e mbushur me kafene, bare dhe restorante.
Eksploroni bunkerët e ndërtuar gjatë diktaturës
Një nga trashëgimitë më famëkeqe të Hoxhës, janë qindra bunkerë betoni të ndërtuar në të gjithë vendin, nga frika se Shqipëria do të përballej me luftë bërthamore. Në Tiranë, dy bunkerë janë kthyer në galeri-muze: Bunk’Art dhe Bunk’Art 2. Por ka bunkerë në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë tunele-bunkerë nëpër male në Gjirokastër.
Shijoni kuzhinën shqiptare
Shqiptarët janë shumë krenarë për qengjin, viçin dhe pulën e pjekur në skarë, prandaj do të gjeni opsione të shijshme nëpër vende të ndryshme, edhe pse veçanërisht në tregun e Pazarit të Ri të Tiranës dhe në rrugën e Kavajës. Provoni qofte, byrek dhe tavën e kosit.
Eksploroni qytetet antike Berat dhe Gjirokastër
I njohur si “Qyteti i një mijë dritareve”, Berati në Shqipërinë qendrore është një qytet i mbrojtur nga UNESCO, me arkitekturë të epokës osmane (dhe më shumë se një mijë dritare). Më në jug, Gjirokastra është gjithashtu e njohur nga UNESCO dhe daton nga periudha osmane, por ka një atmosferë krejtësisht të ndryshme.
Ecni në ‘majat’ e Ballkanit
Një nga shtigjet më emocionuese në Europën Lindore duhet të jetë Majat e Ballkanit, një rrjet shëtitjesh në majë malesh, që kalojnë kufijtë ndërkombëtarë për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Rruga më e zakonshme në Shqipëri është shtegu midis qyteteve të Thethit dhe Valbonës, i cili ngjitet mbi Qafën e Valbonës, 1795 m mbi nivelin e detit.
Bëni një xhiro me biçikletë buzë liqenit të Shkodrës
Janë të pakta qytetet në botë, që e duan çiklizmin po aq sa Shkodra. Kudo që të ecësh në këtë qytet studentor sheh biçikleta. Gjeni një shitës dhe merrni me qira biçikleta dhe pedaloni në periferi të qytetit për të parë Kalanë e Rozafës. Më pas vazhdoni me biçikletë mbi urën e Bunës dhe bregun e liqenit të Shkodrës.
Brohorisni për fitoren në qytetin kala të Krujës
Do të dëgjoni emrin Skënderbe dhe do të shihni statujat e gjeneralit, pothuajse kudo që të shkoni në Shqipëri. Skënderbeu është heroi i luftës së vendit, krijuesi i flamurit të tij dhe njeriu që udhëhoqi forcat që luftuan kundër osmanëve për dekada. Vizitoni kështjellën e tij në qytetin e Krujës, në veri të Tiranës.
Kërceni në një festival muzike në Dhërmi
Plazhi i Dhërmiut po kthehet në një pikë të nxehtë e festivaleve muzikore verore, me disa festa që zhvillohen gjatë sezonit të lartë të verës, si festivali i muzikës elektronike Kala, por edhe Anjunadeep, një tjetër festival elektronik nga Above & Beyond.
Zhytuni në një sy të kaltër
Shqipëria është shtëpia e disa trupave ujorë në brendësi të quajtura “syri i kaltër”. Më i njohuri është Syri i Kaltër, në rrugën midis Sarandës dhe Gjirokastrës. Por ka edhe një në afërsi të Thethit në veri. Syri i Kaltër në Theth, ka një urë nga e cila mund të hidheni dhe të freskoheni.
Eksploroni një qytet antik dhe amfiteatër
Largohuni nga plazhet e Ksamilit dhe drejtohuni në qytetin antik të Butrintit, i cili u ndërtua nën perandori të ndryshme, duke përfshirë grekët dhe romakët. Do të gjeni gjithashtu rrënoja antike, si dhe një amfiteatër në Durrës.
Bëni rafting në ujërat e bardha në Kanionin e Osumit
Gryka e Osumit në Shqipërinë Jugore ka shkëmbinj të lartë të ndarë nga një lumë i ngushtë, që është i përsosur për rafting. Prilli dhe maji janë koha më e mirë për të shkuar.
Shijoni pelikanët dhe flamingot në Parkun Kombëtar të Divjakës në Lagunën e Karavastasë
Pak i njohur për shumë njerëz jashtë rajonit, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një vend i mrekullueshëm për të vëzhguar zogjtë. Më shumë se 240 lloje shpendësh banojnë ose vizitojnë Lagunën e Karavastasë. Aty ndodhet popullsia më e madhe në Europë të Pelikanëve Dalmatë, së bashku me flamingot dhe shumë lloje të tjerë zogjsh./dritare.net

















