Lirimi i Agim Kajmakut, PD: U realizua një skenar mafioz!
Dritare.net
Lirimi i ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku nga Gjykata e Apelit me kërkesë të prokurores Arta Marku, ka nxitur reagimin e ashpër të Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi.
Bardhi shkruan se në 24 orët e fundit është zbatuar nga qeveria një skenar mafioz.
Ai thotë se gjatë kohës së arratisë, Kajmaku ka përfituar qindra miliona lekë tendera.
Reagimi i plotë i Bardhit:
Një skenar mafioz u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia për të lënë të lirë Agim Kajmakun e Vorës.
Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg.
Agim Kajmaku, një fallsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumenta se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit.
Gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti e Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më parë!/ I.M-Dritare.net