Largimet nga LSI/ Mesazhi i Metës: Promovoni figura të pakonsumuara, pa probleme me dekríminalizimin!
Dritare.net
Kreu i shtetit, Ilir Meta ndërsa ishte në Vlorë është pyetur nga gazetarët për largimet nga LSI-ja. Meta tha se, kjo çështje nuk i takon atij dhe se zgjidhja më e mirë për të gjitha është 25 prilli. Ndërkohë, Meta u ka sugjeruar partive që të promovojnë figurat e pakonsumuara, me integritet, që lùftojnë për interesin publik.
“Më duket se LSI-ja i paska punët shumë mirë derisa paska kaq shumë shqetësime rreth LSI-së, por kjo s’është çështja ime, unë jam këtu për të qenë transparent përpara banorëve të Selenicës, të Orikumit, apo gjithë shqiptarëve që kanë interes për projekte të tilla. Jam i sigurt që zgjidhja më e mire për të gjithë çështjet do të jetë vetë 25 prilli. Më vjen shumë keq që të merrem me çështje që nuk më takojnë aspak mua. Kam një sugjerim për të gjitha partitë, që të promovojnë figurat e reja të pakonsumuara, figura të cilat do t’u japin shpresë të gjithë të rinjve në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë, për të qëndruar këtu, për të jetuar këtu, si qytetarë të vërtetë evropianë. Ja ku janë bashkëpunëtorët e mi z.Milo dhe z. Dervishi. Por ju thashë, të gjithë forcat politike të promovojnë figura të reja, me integritet, që luftojnë për interesin publik. Që nuk i fshihen kamerave, tv. dhe figura të pastra, pa probleme me dekríminalizimin.”,- u shpreh Meta. Ju kujtojmë se kohët e fundit i janë bashkuar Partisë Socialiste, disa figura të rëndësishme të LSI-së, mes tyre përmendim: ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ish-deputeti Gledian Rehovica. Ditët e fundit u përfol edhe për largimin e Silva Cakës, por mesa duket kjo e fundit nuk do ta braktisë partinë, pasi sot emri i saj doli në listën e LSI-së, për kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës./KC/dritare.net