Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Laj gojën me kripë Vlore. Përplasje mes Ballës dhe Shehajt!

Laj gojën me kripë Vlore. Përplasje mes Ballës dhe Shehajt!

Debati politik në Kuvend u shoqërua me tone të forta pasi deputeti Agron Shehaj akuzoi qeverinë për shmangie të llogaridhënies dhe ndërhyrje në proceset e drejtësisë, duke shënjestruar drejtpërdrejt ish-ministren Belinda Balluku dhe drejtuesin e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.

Shehaj u shpreh se atij i është mohuar e drejta për interpelancë dhe se për dy muaj ka kërkuar të zhvillojë një seancë pyetje-përgjigje me Ballukun, e cila tashmë nuk mban më postin e ministres.

Ai gjithashtu ironizoi deklaratat e fundit të Taulant Ballës, i cili kishte sugjeruar që çështjet të verifikoheshin “edhe me ChatGPT”, duke e akuzuar për frikë dhe shmangie të përgjegjësisë.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, iu kundërpërgjigj ashpër duke e akuzuar Shehajn se kërkon vëmendje në rrjetet sociale përmes deklaratave të forta në Kuvend.

“Për t’u bërë interesant në rrjetet sociale, vjen, bërtet dhe mendon se kështu bëhet i rëndësishëm. Kur të përmendësh emrin tim, laje gojën. Bëj gargare me ujë të kripur të Vlorës”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se nëse Lulzim Basha do të fliste, sipas tij, mund të zbardhte se sa para ka dhënë Shehaj për të siguruar mandatin e deputetit, duke e paralajmëruar që të jetë i kujdesshëm me akuzat e tij.

Përplasja mes dy deputetëve thelloi më tej tensionet politike në Kuvend, në një kohë kur çështjet e lidhura me akuzat për korrupsion dhe përgjegjësinë para drejtësisë vijojnë të jenë në qendër të debatit publik./L.F-dritare.net