Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kush është kush sot dhe kush ishte kush dje

Kush është kush sot dhe kush ishte kush dje

Nga Rexhep Qosja

Kush është kush sot dhe kush ishte kush dje

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!*

Bardh, Bardh, nuk mund të mendojmë ne për njerëzit vetëm siç na paraqiten ata sot, më thotë.
Nuk mund të mendojmë ne për njerëzit vetëm siç i dëgjojmë se çka flasin sot ata, më thotë.
Nuk mund të mendojmë ne për njerëzit vetëm duke i parë se çka bëjnë ata sot, më thotë.
Nuk mund të mendojmë ne për njerëzit duke menduar vetëm për çka nuk bëjnë sot ata, më thotë.
Atëherë të mos mendojmë aspak për ta, i them atij, Burhan Shushmanit.
Nuk mund të mos mendojmë aspak për ta, ma kthen, sepse do të mendojnë ata shumë për ne.
Dhe, e vazhdon monologun e tij.
A e dimë ne sot se kush ishte kush dje?
A po mendojmë ne fare sot për njerëzit që shohim e që
dëgjojmë çdo ditë, kur e kur çdo ditë e çdo natë, se kush ishin dje.
Dhe, me çka merreshin dje. Dhe, çka bënin dje. Dhe, çka flisnin dje.
Dhe, ku shkonin dje. A po vazhdojmë t’i marrim njerëzit, të mendojmë për ta, vetëm e vetëm siç na paraqiten, siç parakalojnë në paradat tona të sotme politike, partiake, shtetërore, kulturore!
Po mendojmë, po mendojmë. Unë po mendoj. Dhe, çfarë përgjigje po u jep të tjerëve?
Ende s’po u jap përgjigje.
E vetvetes?
Vetvetes - po. Po.
Ti je përkthyes dhe ke mundësinë të mësosh!
A po i lexon kush, kush duhet e kush s’duhet, gazetat dhe
revistat e djeshme, domethënë të dikurshme?
A po i shikon kush, kush duhet e kush s’duhet, emisionet
e djeshme, domethënë të dikurshme, televizive?
A po i dëgjon kush, kush duhet e kush s’duhet, lajmet dhe emisionet e shumta të djeshme, domethënë të dikurshme, të
radiove tona të kryeqytetit e të qyteteve të tjera?
A po i lexon kush, kush duhet e jo vetëm kush s’duhet, kush s’ka rëndësi a i lexon a jo, fjalimet dhe diskutimet në mbledhjet, në konferencat, në kongreset partiake e shtetërore në Prishtinë, në Beograd, në Shkup e shumëkund
tjetër në - Jugosllavinë?
A po i lexon kush, kush duhet e jo vetëm kush s’duhet,
referatet, kumtesat, diskutimet në sesionet, në simpoziumet, në konferencat, në kongreset shkencore?
A po i lexon kush, kush duhet e jo vetëm kush s’duhet, referatet për kandidatët e propozuar për akademik, për anëtar të Akademisë sonë, mandej diskutimet për ta e për shumëçka tjetër në mbledhjet e zakonshme, në mbledhjet e jashtëzakonshme dhe në kuvendet e Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës?
A po i lexon kush duhet e jo vetëm kush s’duhet fjalët kryesore e mandej diskutimet në mbledhjet vjetore të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, të shoqatave të piktorëve dhe skulptorëve të Kosovës; të kompozitorëve e muzikologëve të tjerë të Kosovës; të aktorëve, të regjisorëve, të skenaristëve të Kosovës?
Apo i lexon kush duhet e jo vetëm kush s’duhet fjalët kryesore, të shkruara si referate e mandej diskutimet në mbledhjet e instituteve shkencore të Kosovës, si në Institutin Albanologjik, në Institutin e Historisë, në Institutin e Ekonomisë e në institutet e tjera të ndryshme?
A po i lexon kush duhet e jo vetëm kush s’duhet fjalët kryesore e mandej edhe diskutimet në degët e ndryshme të Fakultetit Filozofik e mandej edhe në fakultetet e tjera të Universitetit të Prishtinës pasi formohet ky universitet?
A po i lexon kush duhet apo vetëm kush s’duhet lëndët e dosjeve të shumta, të ndryshme, të mbledhura, më në fund, në Arkivin Shtetëror të Kosovës në Prishtinë?
A po i lexon kush duhet apo vetëm kush s’duhet shkrimet e ndryshme letrare, shkencore, publicistike e gazetarore, në libra të ndryshëm të botuar para luftës e sidomos të botuar deri në vitin 1990?
A po i lexon edhe kush do të duhej apo vetëm kush s’është e rëndësishme pse po i lexon këto dosje të shumta në këtë arkiv?
A po i jepen këto dosje edhe kujt do të duhej siç po më jepen mua për përkthim disa prej tyre, pa u hetuar, pa u “pastruar”, pa u tëholluar, pa u falsifikuar më parë prej mallkimeve që përmbajnë si në Arkivin Shtetëror në Tiranë prej disave, të mallkuarëve, që kanë punuar apo edhe që punojnë në këtë arkiv dhe në arkivat e tjerë më të vegjël të vendit?
Përgjigjet e sakta në këto pyetje janë shumë të rëndësishme për të sotmen dhe të nesërmen e shëndoshë të kryeqytetit dhe, madje, të vendit tonë, por, pse jo, të vendit tonë të parë, të Shqipërisë.

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net