Kush është i biri 24-vjeçar i Vuçiqit që u pa në Graçanicë me mbishkrim politik!
Dritare.net
Djali i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, u pa sot në Kosovë. Kush është ky person dhe pse ky është tamam zhvillim politik?
Danillo Vuçiq u pa sot në Graçanicë ku po festohej Vidovdani me një këmishë ku shkruante “Dorëzimi nuk është opsion”.
24-vjeçari kishte qenë vetëm shtatë-muajsh në qershorin e vitit 1999 kur vendi tij, Serbia, ishte dorëzuar pa opsion për Kosovën pasi kishte kryer krime mizore ndaj popullësisë shqiptare.
Për praninë e tij në Kosovë reagoi edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili e mbrojti të birin duke i thënë këto fjalë:
““Më lejoni t’ua lehtësojë punën derisa ata janë atje, ndërsa mund të veprojnë aq heroikisht...më lejoni t’u them se kështu mendon secili prej nesh, se kështu mendon shumica e Serbisë, dorëzimi nuk është opsion për ne.”
Presidenti i Serbisë, para më shumë se një jave, kishte lajmëruar se gjatë ditës së sotme pritej të kishte “lëvizje të serbëve të Kosovës” derisa disa gazeta serbe kishin shpërndarë lajmin se mund të shpallej njëanshëm Asociacioni.
Deri tash, i vetmi ndryshim nga festimet e kaluara të Vidovdanit ishte se nuk pati asgjë në Gazimestan.
Kush është Danillo?
Danillo Vuçiq, i biri i presidentit serb, ka lindur më 1 dhjetor 1998.
Për të nuk dihen edhe shumë gjëra, por megjithatë ai është fotografuar nën shoqërimin e shumë njerëzve të dyshimtë dhe në shumë vende ku tensionet ishin të mëdha.
Gazeta serbe Danas i ka kushtuar atij një artikull të gjatë ku hidhen hije të forta dyshimi.
Më 2020, në Banja Llukë, “i riu model” siç e ka quajtur kryeministrja Ana Bërnabiq, ishte fotografuar në një tavolinë me njerëz të lidhur me krimin – huliganë dhe anëtarë të grupit “Janjičari”.
Kupa e Botës në futboll që u mbajt në Moskë në vitin 2018, tregoi që ky rast në Banja Llukë nuk ishte koinçidencë. Aty djali i presidentit bëri fotografi me disa fytyra edhe më të dyshimta, përfshirë Aca Roshavin dhe po ashtu Boris Karapanxhiqin, që më vonë u arrestua si një nga anëtarët e grupit Veljko Belivuk.
Një gazetare e KRIK-ut kishte provuar ta fotografonte me të lartpërmendurin Roshavi në një kafeteri në Beograf, por telefoni i të cilës u mor nga persona të panjohur e të cilët edhe e ngacmuan.
Po ashtu, edhe nëna e të vrarit Aleksandar Halabrin, vrasja e të cilit është lidhur me grupin Belyvuk, kishte pretenduar se biri i saj ishte shoqëruar me Danillo Vuçiqin për kohë të gjatë.
Por, sa herë që raportohen lajme të tilla për Danillon, regjimi i Vuçiqit mbron veten duke thënë se kjo është mantra e “luftës speciale hibride” dhe tezën se “sulmi ndaj fëmijës së tij është sulm ndaj vet presidentit”.
Dhe kur “La Repubblica” njoftoi se Danillo dyshohej të ishte menaxher i superyllit Dushan Vllahoviq, edhe ky u konsideruar sulm ndaj presidentit. Njësoj si kur shkruajnë që ishte ndaluar për të hyrë në Mal të Zi.
Danas shkruan se tashmë është “përcaktuar” nga pushteti në Serbi që 24 vjeçari Danillo Vuçiq është ende “fëmijë”.
Sipas babait të tij, ai punon në një punishte vere për 500 euro. Është fans i Cërvena Zvezdës dhe i Rada FC-së.
Nëna e tij është gazetarja Ksenija Vuçiq, gruaja e parë e Aleksandër Vuçiqit, që vdiq në janarin e vidit të kaluar.
Lideri radikal serb Vojisllav Sheshel, tha disa vite më parë se dy ditë pas kthimit të tij në Serbi, i kishte cingërruar telefoni pasi po e thirrte Danillo Vuçiqi, që ishte ende minoren në atë kohë. Shesheli më pas e kishte ftuar atë në shtëpi bashkë me motrën, Millicën. Siç kishte thënë ai, takimi ishte prekës dhe më pas ishin takuar edhe disa herë./nacionale.com