Kush është fotoreporteri britanik që realizoi serinë e dokumentarëve me DritareTV!
Dritare.net
Fotografi dhe udhëtari britanik Robert Hackman realizoi një cikël dokumentarësh në bashkëpunim me Dritare TV, një prodhim i gazetares Rudina Xhunga. Hackman e nisi ciklin e dokumentarëve me Porto Palermon dhe Kalanë e Ali Pashës, e vijoi me Kaninën, Bektashinjtë dhe reportazhin e fundit ia kushtoi zemrës së Labërisë. Nga Vlora në Kurvelesh, për të përshkuar dhe treguar historitë dhe trimëritë e zonës. Fotoreporteri dhe udhëtari britanik ka 20 vjet që i është kushtuar Shqipërisë. Në verën e 2023-shit ai tregoi historinë Lumit të Vjosës, në median britanike ndërsa këtë vit ia kushtoi Vlorës.
Por kush është Robert Hackman!
Lindur në 1966-ën, me mama australiane dhe baba anglez, Robert Hackman u formua prej profesionit të babait të tij, skulptor që kishte fonderinë e tij. Hackman pati disa përpjekje artistike para se t’i kthehej pasionit të tij të hershëm, fotografisë. Ai jeton në Londër me gruan dhe dy fëmijët e tij. Puna e tij është kryesisht e llojit dokumentar dhe fokusohet në Ballkan.
Robert Hackman është autor i librit “Metamorphosis”, një dokumentim i jashtëzakonshëm për bunkerët e Shqipërisë, i cili ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare. Hackman e ka krijuar albumin fotografik, ku dokumenton bunkerët e shumtë që u ndërtuan në Shqipëri midis 1975 dhe 1989 me frikën e Luftës së Ftohtë. Fotoreporteri fotografoi 250 prej tyre gjatë dhjetë vjetëve të fundit kur udhëtoi nëpër Shqipëri.
Libri luksoz i botuar në Londër, menjëherë pas botimit u promovua nga "BBC", "National Geographic", e të tjera media prestigjioze të cilat e cilësuan një nga botimet më të mira të 2019-ës.
Ndërsa me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë në 2019-ën, botoi me Qendrën Dritare, librin “Lapidarët e Shqipërisë, 75 lapidarë për 75-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë”.
Robert Hackman ështe i pari që po sjell në një media shqiptare, turizmin historik duke e futur dokumentarin shqiptar të turizmit në hartën e tregut ndërkombëtar.
DritareTv që promovon turizmin në vite dhe Rudina Xhunga gazetarja ikonë e turizmit në Shqipëri, këtë verë bashkëprodhuan tri xhevahire të publicitetit për tregun ndërkombëtar me një udhëtar dhe fotograf që e ka studiuar në vite historinë e këtij vendi dhe tashmë ka nisur ta tregojë në gjuhën e tij./dritare.net