
Kush është Elmar Brok që vizitoi Berishën!
Dritare.net
Politikani gjerman Elmar Brok ka vizituar mbrëmjen e djeshme ish-kryeministrin Sali Berisha, në banesën ku ai po zbaton masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, nën akuzën për korrupsion në dosjen Partizani.
“Evropa do të jetë mirënjohëse t’ju ketë në BE. Unë erdha sot në ditëlindjen time për të parë një burrë që e njoh prej shumë vitesh. E kam njohur këtë burrë kur ka qenë President dhe kryeministër në përpjekje për ta sjellë Shqipërinë më pranë Evropës. Unë doja të takoja një lider që ka pritur prej ditësh për të qenë pjesë e Parlamenti. Unë nuk dua të ndërhyj në politikën e këtij vendi, unë pëlqej Shqipërinë, por jo partitë politike. Besoj që në një vend që do bëhet pjesë e BE, një burrë nuk duhet të ndalohet të jetë pjesë e parlamentit pa qenë me vendim final gjykate. Vendimet e Gjykatës Evropiane janë eksplicide. Kjo do të thotë që imuniteti nuk mund të merret pa vendim gjykate dhe kjo është pse ne kërkojmë anëtarësimin e Shqipërisë në BE Një sjellje e tillë ndaj opozitës të mos pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Nëse dikush është fajtor, një gjykatë e pavarur duhet ta vendosë këtë dhe jo një prokuror që thotë “afërmendsh gjykatat bëjnë atë që i themi ne”, tha Brok nga ballkoni tek “Rruga e Shpresës”.
Politikani i BE-së, Elmar Brok akuzohet se ka marrë dyfish para nga pjesëmarrësit në udhëtimet e parlamentare. Lidhur me këtë akuzë, Brok ka punësuar një këshilltar tatimor ku sqaroi: "Sot i vura të gjitha dokumentet në dispozicion të një zyre konsulence tatimore të licencuar nga Parlamenti Evropian për grupet e vizitorëve”.
Portali i lajmeve politike të Brukselit “Politico” më herët kishte raportuar se zyra e Elmar Brok kishte kërkuar nga pjesëmarrësit e udhëtimeve parlamentare që të paguajnë një tarifë fikse prej 150 euro, edhe pse kjo mund të mos ketë qenë e nevojshme. Nga thesari parlamentar, deputetët marrin një tarifë fikse prej 40 euro për një numër të kufizuar prej 110 vizitorësh në vit dhe nëse është e nevojshme, një kompensim prej 60 euro në natë. Ekziston edhe një leje udhëtimi prej 9 cent për kilometër. Brok ka sqaruar po ashtu se kontributet personale të kërkuara janë përdorur për shërbime të tilla si qëndrime shtesë gjatë natës, turne në qytet dhe për aktivitete të tjera gjatë programit. Zëdhënësit e partisë nuk kanë shpjeguar me saktësi se sa deputetë të tjerë gjermanë kanë kërkuar kontribute nga pjesëmarrësit në udhëtimet parlamentare. Megjithatë sqarohet se deputetë kanë kërkuar kontribute kur kostot ishin të larta.
Raporti mbi faturimin e udhëtimit të votuesve u dha 24 orë pasi Brok njoftoi se nuk do të kandidonte më në Parlamentin Evropian, pas një karriere 40-vjeçare. Megjithatë, 72-vjeçari theksoi se vendimi i tij nuk kishte asnjë lidhje me hulumtimin e Politico./M.K-dritare.net

















