Kurti flet për marrëveshjen: Ishte vetëm dakordim!
Dritare.net
Kryeministri Albin Kurti është shprehur se marrëveshja e arritur së fundmi, është thjesht një dakordim.
Ai ka instistuar se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim mbi çështjen e targave, por përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka ndryshuar deklaratë.
“Të hënën më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili ka pasur 95 fjalë, dhe fjalët Francë e Gjermani s’kanë qenë askund. Nuk thuhet ‘propozimi’, por thuhet se do zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi, pa thënë ‘franko-gjerman’. Ndërsa, kjo që u dakordua mbrëmë ka 194 fjalë.
Në titull thuhet se është deklaratë e Borrell-it. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë gjë e mirë. Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Nuk do bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian që më herët quhej franko-gjerman”,- është shprehur Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se ata u dakorduan vetëm për të ndaluar veprimet në mënyrë reciproke.
Kurti shtoi se u është përgjigjur edhe akuzave të atyre që thonë se Kosova po i pranon marrëveshjet paraprake, rrjedhimisht edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Së fundmi, kryeministri i Kosovës u shpreh se kërkon bashkëpunimin e opozitës.
“Na kemi nevojë për mbështetjen e juaj. Kemi nevojë për diskutim. Jam i gatshëm ta bëj. Për shkak se nuk dua të eci vetëm, është përtej cilitdo prej neve, përtej këtij mandati qeverisës”./dritare.net