Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kristaq Porodini, shqiptari me kontribut të madh për Kosovën

Kristaq Porodini, shqiptari me kontribut të madh për Kosovën

Nga Ismet Sylejmani, Ish drejtues e veteran i UÇK-së

Shqipëria, Nëna jonë, ka lindur dhe ka rritur bijë e bija, të cilët i kanë dale zot fateve të Atdheut. Kombi ynë për këto personalitete të mëdha të Tij, ka e do të ketë përgjithmonë nderim e respekt. Populli shqiptar, do t’i ketë në shekuj në flamurin e lavdisë kombëtare.

Kristaq Porodini, shoku e miku im i madh, është njëri prej bijve të mëdhenj të popullit, atdheut e kombit tone. Kristaq Porodini është njëri nga figurat e mëdha, i cili duke qenë i ngarkuar me detyra shtetërore nga Partia dhe shteti shqiptar, luajti rol te madh e të pazëvendësueshëm për çështjen e Kosovës.

Gjatë viteve të vështira për Kosovën, Kristaqi ishte instruktor në Komitetin Qendror të Partisë, në sektorin për Kosovën, me fokus zhvillimet aty. Ky sektor u krijua në vitin 1979 dhe vazhdoi punën derisa ndryshoi sistemi politik në Shqipëri. Deri atëherë punoi aty edhe Kristaqi. Sektori në fjalë merrej vetëm me Kosovën dhe organizonte gjithçka, të gjitha levat e shtetit shqiptar për Kosovën në të gjitha drejtimet: politike, ekonomike, kulturore, arsimore etj…

Përveçse punoi me përkushtim, Kristaq Porodini vuri në shërbim të luftës edhe familjen e tij. E tërë familja Porodini ishte në shërbim të aktivitetit dhe veprimtarisë së tij shteterore për Kosovën. Shtëpia e Kristaq Porodinit në Tiranë ishte një nga bazat e mëdha të veprimtarëve të shquar të LPRK-LPK-së dhe të UÇK-se.

Në shtëpinë e Kristaqit kanë qëndruar udhëheqësit e drejtuesit kryesorë të Lëvizjes e të UÇK-së. Aty kanë gjetur mikëpritjen dhe bujarinë e familjes shqiptare, të gjithë veprimtarët nga Kosova.

Heronjtë e Kombit Ahmet Haxhiu, Xhavit Haziri, Arif Seferi, pastaj drejtuesit kryesorë të Lëvizjes e të UÇK-së Fazli Veliu, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Azem Syla etj, ishin të gjithë në shtëpinë bazë të LPRK-LPK dhe UÇK-së të Kristaq Porodinit. Familja Porodini, të gjithë, babai, nëna, bashkëshortja e tij, ishin të përfshirë në kauzën e shenjtë të sherbimit dhe aktiviteteve e kontributit për çështjen e Kosovës.

Kristaq Porodini, ka qenë lidhja e madhe zyrtare shtetërore në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Deri te themelimi dhe dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kristaq Porodini, ka dhënë kontribut madhor, që është i pakapercyeshëm dhe i pamohueshëm.

Radhët e organizuara politike ilegale atdhetare të LPRK-LPK-së, dhe ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë për obligim që për personalitetin e Kristaq Porodinit, të organizojnë nderim publik kombëtar, të shkruajnë artikuj, libra e organizime të ndryshme nderuese e mirënjohëse.

Populli shqiptar i Kosovës ndaj Kristaq Porodinit, këtij burri të madh, i cili tërë jetën e tij i shërbeu sektorit për çështjen e Kosovës, duhet t’i jetë mirënjohës përgjithmonë.

I dashur dhe i nderuar shoku e miku im i madh Kristaq Porodini, emrin tënd populli shqiptar i Kosovës, do ta ketë të shkruar në murin e lavdisë kombetare e shtetërore!

Ismet Sylejmani, ish drejtues e veteran i UÇK-së

Prishtinë, 24 Nëntor 2021/Dritare.net