
Kreu i Urgjencës Kombëtare: Ja kura më e mirë, për të luftuar koronavirusin!
Dritare.net
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i infektuar me koronavirus, para pak minutash ka publikuar një status në rrjetet sociale. Duke i falënderuar të gjithë për mesazhet e ngrohta, ai shprehet se në këto ditë, pozitiviteti është kura më e mirë. Fatmirësisht, Brataj, shkruan se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar. Por nuk lë pa përmendur, se është ndjerë po aq keq sa kur ka marrë lajmin se ishte infektuar nga koronavirusi, edhe kur familjarët e tij e kanë mësuar këtë përmes medias. Në fund Brataj shpreson se do të rikthehet së shpejti në punë, për të fituar së bashku këtë betejë.
“Mesazhet tuaja qenkan jo vetëm kurajo, por medikamenti më i mirë i kësaj terapie kundër koronavirusit Sars Cov2, që shkakton sëmundjen e COVID-19.
Nuk e them për t’ju falenderuar më shumë nga ç’duhet, nuk e them për tu dukur më i rëndësishëm, nuk e them për publicitet, nuk e them per të marre sa më shumë share…
Jo! Për asnjë nga këto arsye!
Si gjithmonë, i drejtpërdrejtë me ju, këtë e ndjej ta them, e ndjej ta shpreh, e ndjej ta ndaj me ju qindra e mijëra persona që i shoh për herë të parë në profilin tim, e ndjej ta ndaj me pacjentë, miq, shokë, mjekë, infermierë, shoferë, sanitarë, kolegë, profesionistë, bashkëpunëtorë, politikanë, gazetarë, media dhe njerëz të thjeshtë, që nuk pushuat dhe vazhdoni të shkruani e të më uroni shërim të shpejtë.
Nuk është aspak e thjeshtë për askënd të marë lajmin se është i infektuar nga coronavirusi; nuk është aspak lajm i mirë kur ke të gjitha shenjat dhe simptomat e sëmundjes, kësaj sëmundje tinzare dhe jo plotësisht të njohur; nuk është aspak e këndshme që familiarët dhe bashkëpunëtorët e tu të njoftohen nga mediat!
Ju garantoj se kura më e mirë është POZIVITETI JUAJ pa fund, pa masë, pa ndërprerje, pa limit, pa dallim, pa kufij, nga çdo qytet, fshat, apo shtet, që çdo ditë të jep energji, të jep kurajo, të jep emocion, të jep dashuri humane pa fund, aq sa shumë herë të derdhësh lot, po lot me ngashërim, lot që pushojnë vetëm kur heq sytë nga ato mesazhe, sms, apo hartime tuajat të shkruajtura me fjalë zemre, me dashuri nëne, shoku, kolegu, me ndjenjë humane.
Unë tani kam pak kollë dhe shenja më të lehta të semundjes. Jam më mirë, edhe falë këtij poziviteti të vazhdueshëm që ju më dhuroni.
Shpresoj të kthehem sa më shpejt……
UNË DO TË KTHEHEM që të vazhdojmë këtë betejë të ashpër së bashku, për t’ju shprehur edhe njëherë, SHUMË, SHUMË, SHUMË, SHUMË MIRËNJOHJE", shkruan kreu i Urgjencës Kombëtare./L.F-dritare.net

















