Kostoja e karrigeve të djegura në Kuvend! Paratë do mbahen nga rrogat e deputetëve
Dritare.net
Heqja e mandatit të deputetit të Ervin Salianjit revoltoi deputetët e opozitës që thyen e shkatërruan çfarë gjetën para, që nga foltorja deri te karriget e Kuvendit. Deputetët e opozitës do të paguajnë faturën e 30 karrigeve të djegura dhe foltores së thyer. Mësohet se dëmi total është 10 milionë e 500 mijë lekë të vjetër. Siç është njoftuar zyrtarisht, nga shërbimet e Kuvendit është ngritur një grup i cili do të vlerësojë të gjitha dëmet materiale dhe kostot do të mbahen nga rroga e deputetëve.
“Në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit./K.C/dritare.net