
Koronavirusi/ Corriere della Sera: Këto janë përgjegjësitë e Kinës!
Dritare.net
Nga Milena Gabanelli e Luigi Offeddu-Corriere della Sera
Kina, që nga viti 1945 anëtare i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të drejtën e vetos, gjithmonë ka heshtur ose mohuar kur është pyetur se si i respekton të drejtat e njeriut, në këtë rast lirinë e fjalës/informacionit. Por, kësaj here heshtja e saj paguhet nga shumë vende të tjera.
South China Morning Post, gazeta historike e Hong-Kongut, raporton vazhdimisht informacione nga burime qeveritare, të tipit: infeksioni i parë i sëmundjes së re u regjistrua në Kinë më 17 nëntor 2019. Informimi i OBSH-së duhet të ishte i menjëhershëm, por autoritetet pritën deri më 31 dhjetor, përpara se të raportonin një "pneumoni të çuditshme" të shfaqur në Wuhan, në tregun e kafshëve të gjalla. "Tregjet e lagura" ishin të dyshuarat kryesore të Sars-Cov1 të vitit 2002. Por vetëm më 9 janar 2020, Pekini flet për një koronavirus të ri, të ngjashëm me Sars-in e mëparshëm. Më 30 janar, OBSH-ja e shpall një emergjencë ndërkombëtare.
Ndërkohë, biznesi dhe turizmi botëror janë në ulje-ngritje, Kina vazhdon sikur s’ka ndodhur gjë.
Vetëm në muajin dhjetor dhe vetëm me Evropë ishin 5,523 fluturime. Sipas burimeve nga ENAC-Autoriteti Kombëtar Italian i Aviacionit Civil, më 13 janar, ndërsa po përgatitej izolimi i Wuhan-it, Pekini nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me Italinë (e pavetëdijshme) për një rritje deri në 164 fluturime javore nga secili shtet, 108 me efekt të menjëhershëm. Pastaj u vendos bllokada. Çmimi i atij muaji e gjysmë heshtjeje është i pallogaritshëm.
Kina mohon çdo përgjegjësi dhe reagon ndaj humbjes së besueshmërisë, duke rritur shtypjen me shkatërrimin e lirisë në Hong-Kong, me qëllime të reja strategjike në Detin e Kinës Jugore, me një grusht gjithnjë e më të rëndë ndaj pakicave etnike, mbi lirinë e shprehjes së brendshme, me acarimin e marrëdhënieve me Kishën Katolike, me kërcënime arrogante ndaj shteteve sovrane.
Çmimi i heshtjes
Sa e rëndësishme është liria e fjalës në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, e cila do të duhet të merret me kërcënimet shëndetësore dhe ngrohjen globale dhe ku Kina luan një rol kryesor? Avokati i Universitetit të Pekinit, He Weifang kujtoi deklaratën e një kolegu të tij i cili u arrestua: "Mungesa e lirisë së fjalës dhe shprehjes në Kinë ka favorizuar përhapjen e infeksionit.”
Ndërsa Li Wenliang, okulisti kinez, i pari që identifikoi virusin u ndalua fillimisht, pastaj u censurua dhe në fund ra viktimë e tij, informon dritare.net
Ka gati një milion vdekje në botë sot dhe një recesion global. Kina nuk ka kërkuar falje dhe lavdëron epërsinë e modelit të saj, i cili do ta trajtonte pandeminë në një mënyrë të jashtëzakonshme, ndërsa vendet demokratike nuk ishin në gjendje ta bëjnë. Sot pretendon të ketë vetëm 8 raste për 1.4 miliardë banorë. E pamundur të dihet nëse ai numër është i vërtetë. Nuk ka dyshim që Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe disa vende evropiane e kanë nënvlerësuar, por si do të kishin shkuar gjërat nëse autoritetet kineze do të kishin informuar menjëherë komunitetin ndërkombëtar për gravitetin e asaj që po ndodhte? Kurrë nuk do ta dimë, ashtu siç nuk do të dimë se çfarë ndodhi sepse hetimi i pavarur ndërkombëtar, i votuar nga OBSH-ja unanimisht në maj është ende një copë letër./K.C/dritare.net

















