
Deri më tani, mesazhi shëndetësor ka qenë i qartë, sa më i vjetër të jesh, aq më shumë i rrezikuar je nga koronavirusi. Por Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka paralajmëruar të rinjtë të mos e shohin veten si të paprekshëm.
Dr. Rosena Allin-Khan, një deputete e Partisë së Punës dhe doktoreshë në Britani të Madhe i tha BBC-së se, sëmundja nuk ishte e kufizuar thjesht te të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Ajo foli një ditë pas lajmeve se një 18-vjeçare, me një sëmundje kronike vdiq nga virusi në Angli. Ajo është personi më i ri që ka vdekur nga Covid-19 në Britani të Madhe, deri më tani, informon dritare.net
Dr.Allin-Khan tha që ajo kishte trajtuar më parë pacientë të shëndetshëm rreth të 30-ave dhe 40-ave, të cilët tani ishin në kujdesin intensiv, duke luftuar për jetën e tyre. Studiuesit në Imperial College London gjetën një lidhje të qartë midis moshës dhe gjasave për t’u shtruar në spital me koronavirus. Më pak se 5% e personave nën 50 vjeç kishin nevojë për t’u shtruar në spital, për shkak të simptomave të tyre, por kjo u rrit në 24% për 70-79-vjeç. Në mënyrë të ngjashme, vetëm 5% e atyre nën 40 vjeç që përfunduan në spital kërkuan kujdes intensiv, krahasuar me 27% të njerëzve në të 60-tat e tyre dhe 43% të njerëzve në të 70-tat.
Kjo u rrit në 71% për njerëzit mbi moshën 80 vjeç, sipas vlerësimeve të bazuara në rastet e Kinës dhe Italisë, dy nga vendet më të prekura. Mosha mesatare e njerëzve që pranohen në njësitë e kujdesit intensiv në Angli, Uells dhe Irlandë Veriore është 63 vjeç. Ndërkohë, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC)-SHBA tha se të dhënat e hershme sugjeruan që 53% e atyre personave të shtruar në spital ishin mbi 55 vjeç që do të thotë se gjysma ishin të rinj. Por kur bëhet fjalë për pranimet në njësitë e kujdesit intensiv dhe viktimat, një përqindje shumë më e lartë ishin në kategoritë e moshave më të vjetra (rreth 80% e vdekjeve ishin midis moshave mbi 65 vjeç).
Kjo është mosha mesatare. Por fatkeqësisht brenda kësaj do të ketë edhe njerëz të rinj të cilët mund të kenë shkallë më të rëndë të sëmundjes, dhe në disa raste rezulton fatale. 0.4% e personave rreth 40-vjeç në Itali, vdiqën, krahasuar me 19.7% të atyre rreth të 80-ave, ndërsa në SHBA për përafërsisht 0.7% të rasteve rreth të 40-ave rezultoi fatale.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive të SHBA, Anthony Fauci, tha se numri i përgjithshëm i vdekjeve ishte jashtëzakonisht i madh te të moshuarit dhe atyre me sëmundje kronike, por shtoi se virusi nuk është një formulë matematikore.
"Do të ketë njerëz të rinj që do të sëmuren keq.”,- tha ai. Ndërkohë, OBSH-ja thotë se megjithëse provat që kemi sugjeruar se ata mbi 60 vjeç janë në rrezik më të lartë, të rinj, përfshirë fëmijë, kanë vdekur. Një studim kinez i mbi 2.000 fëmijëve që kishin kontraktuar virusin zbuloi se megjithëse gjendja e fëmijëve me Covid-19 ishte më pak e rëndë se ajo e pacientëve të rritur, ata dhe veçanërisht foshnjat janë të prekshëm nga infeksioni./Përshtati nga BBC: Kadrije Çako/dritare.net

















