
Komiteti Teknik i Ekspertëve: Situata ende jo siç duhet, masat antikovid nuk ndryshojnë!
Dritare.net
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos ndryshojë masat antikovid në vend.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha në mbledhje se ka një përmirësim të situatës por jo aty ku duhet.
"Kemi përmirësim të lehtë të situatës. Pavarësisht se kemi një rënie të pozitivitetit të testimit, mendojmë që masat me intensitet të mesëm kanë qenë efikase. Një nga arritjet më të mëdha ka qenë fushata e vaksinimit, jo vetëm në drejtim të numrit të vaksinimit. Shqipëria ka zënë vendin e parë në rajon për sa i përket ritmit të vaksinimit, duke ia kaluar edhe Serbisë. Megjithatë pavarësisht këtyre arritjeve situata nuk është aty ku duhet të jemi dhe nuk propozohet asnjë ndryshim masash”, tha Rakacolli.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se mesatarja e rasteve të reja ka rënë, por ka një rritje të numrit në bashkitë e vogla.
“Pozitiviteti i mostrës vazhdon të ulet. Mesatarja e rasteve të reja ka rënë. Edhe numri total i rasteve aktive ka rënë, por ka një rritje të numrit të bashkive të vogla të prekura. Raporti midis meshkujve dhe femrave mbetet, me prekje më të lartë te femrat, me vdekje më të lartë të meshkujve. Kemi një ulje të numrit të vdekjeve këtë javë nga 70 në 55. Kjo javë përcjell një punë të jashtëzakonshme në raport me vaksinimet. Më e rëndësishme është që puna me arsimtarët, uniformat blu, gazetarët vijon derisa të përmbyllet. Kemi punuar me të gjitha fashat 70 plus dhe 80 plus. Natyrisht është momenti për të kërkuar edhe njëherë ndihmën e qytetarëve që përpos vaksinimit të mbajnë maskën, distancën, higjienën”, tha Fico./M.M-dritare.net

















