
Këshilla nga psikologia Besarta Taçi: Si të menaxhojmë marrëdhënien me familjen, gjatë izolimit!
Dritare.net
Dritare.net, gjatë kësaj periudhe të vështirë izolimi, ka qenë pranë jush jo vetëm duke ju mbajtur të informuar në çdo kohë, por edhe duke ju mundësuar të gjithë ndjekësve komunikim live me psikologë, mjekë, ekspertë të shëndetit mendor, instruktorë palestre, njerëz të apasionuar pas kuzhine etj, të cilët ju këshillojnë dhe ju ndihmojnë ta kaloni sa më lehtë qëndrimin tuaj në shtëpi.
Në Dritare.net kanë ardhur pafund mesazhe që kërkonin live një psikologe për të mësuar më shumë rreth situatës së koronavirusit në vend. Psikologet që kanë komunikuar me ndjekësit tanë duke iu përgjigjur pyetjeve kanë qenë Enertila Bekteshi dhe Megi Kociaj, ndësa së fundmi ishte Besarta Taçi.
Besarta Taçi është psikologe dhe presidente e EMDR Albania, e cila gjatë kësaj periudhe, ka ofruar shërbim online për qytetarët që e kanë ndjerë të nevojshme të konsultohen me një ekspert, specialist të shëndetit mendor apo një psikolog.
Psikologia u ndal në shumë aspekte te rëndësishme. Ajo foli fillimisht për mënyrë e përjetimit të izolimit. Secili prej nesh e përjeton ndryshe dhe pas javës së dytë të karantinës, fillojnë të dalin probleme që ndoshta nuk i kemi hasur më parë ose kemi ditur si t’i menaxhojmë.
Si duhet të jetë raporti ynë me informacionin!
Në këtë kohë është mirë që të ulni orët e kontaktit me rrjetet sociale apo me televizionin, nëse po transmetohen lajme me imazhe që mund t’ju prekin, si për shembull të sëmurë me Covid-19 apo viktima. Kjo sepse, nëse ne vazhdojmë të ndjekim lajme të tilla, do të ndjehemi më të rrezikuar apo mund të përjetojmë ankth. Por, gjithashtu mund të bëhen një faktor i rrezikshëm sa i përket stresit, duke qenë se gjatë kësaj periudhe po e përjetojmë në doza të mëdha. Nëse nivelet e stresit vazhdojnë të jenë të larta, kjo ndikon edhe në gjendjen tonë psikologjike.
Fëmijët dhe informacioni rreth Covid-19!
Tregoni kujdes me informacionin që u servirni fëmijëve. Mënyra sesi fëmijët e interpretojnë këtë situatë është ndryshe nga të gjitha grupmoshat e tjera. Fëmijët nuk janë të aftë të kuptojnë pse gjithçka ka ndryshuar. Në këtë situatë duhet të mundoheni të minimizoni frikërat e tyre dhe t’i edukoni nëse ata kanë një reagim. Gjithashtu, nëse fëmija juaj shpërthen në zemërim ju duhet të kuptoni se çfarë realisht po mendon dhe ndjen ai, në atë moment.
Kompromisi i prindërve me fëmijët!
Duke qenë se fëmijët dhe prindërit janë gjithë ditën në shtëpi dhe mësimi zhvillohet nga shtëpia, këta të fundit shpeshherë alarmohen kur fëmija nuk mëson. Në këtë moment, prindërit duhet të bëjnë një kompromis me fëmijët e tyre. Të ndajnë një orar mësimi, lojë dhe sigurisht të ushqehen shëndetshëm, pa insistuar.
Të kuptojmë veten gjatë karantinimit!
Është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj periudhe gjithsecili nga ne të kuptojë veten. Izolimi në mënyrë të papritur na bën të ndjemë ankth, frikë, kanë makthe natën apo edhe kur nuk duam të kemi kontakt me asgjë tjetër që na rrethon. Të gjitha këto janë reagime normale në këtë fazë. Por kur gjendja jonë normale bëhet e patolerueshme nga vetë ne, është mirë që të pohoni se po përjetoni një moment emocional të fortë dhe të kontaktoni një psikolog.
Adoleshentët dhe karantina!
Për adoleshentët, ky moment është shumë i rëndësishëm mbajtja e kontakteve me grupin e klasës apo miqve. Rrini në kontakt me ta në rrjete sociale gjatë kësaj periudhe, sepse është shumë e rëndësishme që ata të ndjejnë vazhdimësinë e komunikimit dhe marrëdhënies në grup. Truri ynë ka nevojë të ndjejë se kemi vazhdimësi të jetës. Nëse fëmija juaj adoleshent nuk dëshiron të marrë pjesë në aktivitete familjare, kuptojeni dhe mos bëni sherre për këtë fakt. Të gjithë përpiqemi të bëjmë shumë aktivitete, por mos harroni se hapësira totale është një shtëpi, dhe jo të gjitha këto aktivitete arrijnë t’ju qetësojnë.
Stresi, ushqimi dhe aktiviteti fizik!
Kur ne stresohemi, metabolizimi ynë dezekuilibrohet dhe trupi ka nevojë për shumë ujë sepse dehiratohemi. Nëse ne kujdesemi për ushqimin, për gjumin dhe bëjmë pak ushtrime fizike, kemi më shumë mundësi t’i japim mesazhe pozitive metabolizmit tonë. Nëse kujdesemi për veten tonë dhe familjen tonë, ky është maksimumi që mund të bëjmë në këtë moment. /E.B-dritare.net

















