
Keni mace apo qen në shtëpi? Veterinerja: Si duhet t’i pastroni!
Dritare.net
Grooming është një proces që i referohet një kujdesi higjenik për kafshët. Mjekja veterinere Brunilda Mazari në podkastin e saj Pyet Veterinerin në Dritare TV, foli për rëndësinë e grooming te kafshët por edhe për specifikat te macet dhe qentë.
“Grooming nënkupton kujdesin për kafshën, larjen, qethjen, pastrimi dhe përkujdesja që i kushtojmë kafshës sonë. Prej vitesh edhe në vendin tonë pjesa e grooming ka marrë një rëndësi të madhe.
Por edhe në këtë rast ndryshon sipas kafshës. Macja kujdeset shumë për veten, ndryshe nga qeni. Janë vetë të pastra, vetëpastrohen. Qentë larja duhet më e shpeshtë sepse për shkak të shëtitjes më të shpeshtë nevojitet larja e putrave.
Ka një sërë shamposh që janë specifike për problematika të ndryshme. Sidomos në klinikë kur ne ofrojmë shërbimin grooming, përdorim një sërë shamposh sikurse përfshijnë trajtimet dermatologjike, antimykotike, anti alergjike.
Sigurisht aksesorët janë të ndryshme për raca të ndryshme qensh dhe macesh sepse kjo varet nga lloji i qimeve që kanë. Një këshillë që dua të vë theksin është se kafshët duhet të qethen përditë. Gjatë krehjes ne largojmë qimet e vdekura, dhe në të njëjtën kohë ne aktivizojmë edhe qarkullimin e gjakut. Nëse nuk i krehim kafshët rregullisht qimet krijojnë irritime dhe alergji te kafshët.
Sa i takon shampove, kurrsesi nuk mund të përdoren shampot e njerëzve. Sepse ndryshe nga njerëzit, kafshët kanë një pehash lëkure acide, dhe nëse përdorim shampon tonë i ndryshojmë pehashin e lëkurës duke i shkaktuar probleme të ndryshme. Ndaj këshillohet përdorimi i shampove specifike për secilën kafshë.
Qethja gjithashtu është e domosdoshme te kafshët, sidomos te qentë. Por edhe në këtë rast është e nevojshme këshilla e veterinerit, sepse ka disa qen të cilët nuk mund t’i qethim tërësisht deri në lëkurë. Qethja është një proces shumë i rëndësishëm, dhe nëse nuk bëhet siç duhet mund të sjellë pasoja”, u shpreh veterinerja Bruna Mazari./L.F-dritare.net

















