
Kancelari austriak: Kina dhe Turqia me sytë nga Ballkani Perëndimor. BE të shikojë!
Dritare.net
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer mbështet integrimin e Shqipërisë në BE. Në Forumin Europian Wachau për temën “Ruajtja e së ardhmes së Europës dhe zgjerimi i BE”, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, kancelari listoi disa arsye pse BE duhet të hapë negociatat.
“Ka shumë njerëz në Austri që mendojnë se mund të vënë në pikëpyetje angazhimin tonë dhe angazhimin tim si Kancelar dhe pyesin pse jemi kaq shumë në favor që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e familjes europiane dhe BE, të familjes në kuptimin më të pastër të fjalës. Përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë e thjeshtë: Ka një arsye shumë pragmatike. Tashmë jemi mes investuesve më të mëdhenj në Ballkanin Perendimor por mos harroni, ka po ashtu dhe shumë konkurentë. Republika popullore e Kinës, Emiratet e Bashkuara Arabe, është po kështu dhe Turqia, e cila ka ndërtuar aeroportin në Kosovë, jo vetëm falë dashurisë për njerëzit, por edhe për të ndjekur interesa gjeopolitike.
Kështu që, arsyeja e parë që iu dhashë është një arsye shumë pragmatike, për vendndodhjen tonë të biznesit, për investimet, per shoqëritë tregtare të orientuara nga eksporti, Ballkani perëndimor është një rajon i rëndësishem.
Arsyeja e dytë, pse janë kaq të nevojshme shtetet e Ballkanit Perëndimor për ne që t’i kemi më afër sesa më larg, sepse është çështje sigurie. Arsyeja e tretë është kultura, diversiteti, afërsia me ne dhe me zhvillimin tonë historik.
Sa absurde do të ishte nëqoftëse një kancelar austriak nuk do të rrinte krahë Shqipërisë që ajo të bëhej pjestare e familjes europiane. Ka qenë Austria, e cila ka nxitur pavarësinë kombëtare të Shqipërisë, ne e mbështetëm dhe e njohëm këtë pavarësi për shumë arsye. Arsye gjeopolitike, arsye gjeostrategjike, por po kështu, sepse kjo na sjell edhe më afër dhe tregon sesa pranë njëri-tjetrit jemi. Kjo lidhet me 1912, me vitet në vijim, me Luftën e parë botërore, me Luftën e dytë botërore, luftën e ftohtë. Kaq shumë gjëra kanë ndodhur gjatë kohës, por lidhja e fortë që vjen nga historia, lufta kundër Perandorisë Otomane deri në porta e Vjenës e përtej gjithmonë kemi qenë aleatë historie.
Sot të dyja vendet rreken të formësojnë aleanca edhe me Turqinë kur vjen fjala për çështje sigurie. Kjo është historia, ky është evoluimi”, u shpreh kancelari austriak./L.F-dritare.net

















