
Isa Qosja: Ndërprerja e filmit në Podgoricë, i orkestruar nga Serbia
Dritare.net
Shfaqja e filmit “Lejleku”, me regji të Isa Qosjes, është ndërprerë të mërkurën në festivalin e filmit “Xhada” në Podgoricë, pas thirrjeve nacionaliste dhe kërcënimeve të një grupi personash që, sipas mediave malazeze, kundërshtuan faktin që filmi ishte në gjuhën shqipe.
Regjisori Qosja tha për gazetën Koha.net se ndërprerja nuk e befasoi, duke e cilësuar si veprim të orkestruar nga Serbia.
“Ata as gjuhën e një populli tjetër nuk e durojnë, e lëre më njerëzit, hapësirën, kulturën. Ne jemi dhe do të jemi gjithmonë”, theksoi ai, duke shtuar se ndodhia ishte veçanërisht e rëndë përballë publikut malazez që e kishte pritur filmin me admirim.
“Më vjen keq për atë pjesë të publikut malazez, të cilët me shumë admirim e kanë parë dhe përjetuar këtë film. Më janë lajmëruar shumë intelektualë dhe filmdashës e filmpunues nga Mali i Zi dhe janë të irrituar me atë që ndodhi, por të entuziazmuar me filmin. Filmi ka pasur një premierë kohë më parë në Podgoricë dhe është parë dhe pritur me ovacione. Pra, me ndërprerjen janë bërë planifikime dhe veprime të orkestruara nga Serbia”, ka treguar regjisori Qosja.
Ngjarja është dënuar nga organizatat joqeveritare, të cilat e cilësuan ndërhyrjen si sulm të rrezikshëm ndaj lirisë artistike dhe shfaqje të hapur të urrejtjes etnike. Edhe delegacioni i BE-së në Mal të Zi, që kishte mbështetur festivalin, reagoi duke rikujtuar se liria e shprehjes artistike është vlerë thelbësore demokratike.
Festivali “Xhada”, që mbahet prej dhjetë vitesh, është i dedikuar filmit debutues dhe zhvillohet në hapësira të hapura në Podgoricë.
Filmi “Lejleku” u shfaq premierë në shtator 2024 në PriFest në Prishtinë. Ai trajton temën e emigracionit përmes historisë së tri brezave të grave, në fshatin e braktisur Vuthaj në kufirin malazezo-shqiptar – vendlindjen e regjisorit Qosja.
Ky projekt është i pari nga Mali i Zi që ka marrë mbështetje nga fondi evropian Eurimages (80 mijë euro) dhe u realizua nga kompania “Artikulacija” në bashkëpunim me produksione nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut./L.F-dritare.net

















