
Integrimi/Rama me Komisionerin e BE: Ne i kemi plotësuar detyrat tona. Deri kur do të vazhdojë kjo histori?!
Dritare.net
Sot në konferencën për shtyp Komisioneri për Zgjerim Olivér Várhelyi foli për hapjen e negociatave me BE. Ai u shpreh se qershori është një muaj kritik dhe po punohet për të pasur një zgjidhje, por ende është herët për të thënë se cili do të jetë vendimi.
“Ky muaj është kritik, është qershori i këtyre vendimeve dhe po punojmë fort, në këto momente prapa kuintave, ne të gjejmë zgjidhje. Presidenca e BE është e angazhuar për të gjetur zgjidhje dhe e njëjta gjë vlen dhe për Këshillin e Europës. Është shumë herët për të thëne se çfarë do të ndodhë, ne duam që kjo gjë të ndodhë”, tha Varheily.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria i ka kryer detyrat e saj dhe është koha e BE-së që të japë një përgjigje.
“Ne e para, ka rëndësi që detyrat tona t’i bëjmë plotësisht, sepse nuk i bëjmë se na i kërkon Brukseli, Parisi apo Haga, por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë. Detyrat e shtëpisë e integrimit në BE, janë rruga për të modernizuar shtetin tonë. Janë rruga për ta bërë Shqipërinë Europiane në sistemin e Drejtësisë dhe të Institucioneve të Mirëqeverisjes dhe institucioneve demokratike.
Përsa kohë ne dhe KE, jo këtë vit dhe tani prej 3 vitesh na kanë thënë që detyrat i kemi bërë dhe i ka kërkuar KiE të pranojë rezultatin e detyrave dhe të hapë fazën tjetër të procesit… KiE ka patur arsyet e veta që nuk ka dhënë ende përgjigje. Ky është një rast tjetër për të mësuar Evropën dhe metodën e futjes në BE. Deri kur vazhdon kjo histori? Kësaj pyetje s’po ja kërkojnë përgjigjen sot. Do të shikojmë do të ketë apo s’do ketë përgjigje. S’ka asnjë minutë humbje kohe nga ana jonë”, tha Rama./L.F-dritare.net

















