Inceneratori i Fierit, shpallet i pafajshëm Arben Dervishaj!
Dritare.net
Arben Dervishaj, mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit, është shpallur i pafajshëm për aferën e inceneratorit të Fierit dhe është nxjerrë nga burgu.
“Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Arben Dervishaj nga paraburgimi nëse nuk mbahet për shkak të një vendimi tjetër”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Arben Dervishaj, në kohën që ishte mbikëqyrës i punimeve tek inceneratori i Fierit, miratoi dhe pasqyroi në shtet shërbime dhe pajisje që nuk janë realizuar, për të justifikuar pagesat e kryera nga institucionet shtetërore që kapin vlerën e 4 milionë eurove.
Për të kryer këtë shërbim ndaj përfituesve të aksionerëve të inceneratorëve, Dervishaj ka udhëtuar disa herë jashtë vendit me të gjitha faturat e paguara nga Klodian Zoto. Herën e parë në 2017-ën për të parë ndeshjen Juventus-Barcelona në Torino, më pas me të bijën në Tel Aviv dhe për herë të tretë në 2019-ën po në Torino për ndeshjen Juventus-Ajax. Në këtë ndeshje, Dervishaj nuk ishte i vetëm, teksa shkoi nën shoqërinë e Klodian Zotos dhe Alqi Bllakos. Zoto, vetëm për ndeshjen, për të tre pagoi 5040 Euro.
Dervishaj, është sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së njëkohësisht edhe zv.president i FSHF. Arben Dervishaj është një nga njerëzit më të besuar të presidentit aktual të Federatës Armando Dukës.
Dervishaj dyshohet ka përfituar mbi 740 mijë dollarë ose 744 milionë lekë të vjetra për konsulencën e dhënë për inceneratorët. Sipas raportimeve të mëparshme paratë rezultojnë të jenë marrë në 4 vite të ndryshme, përmes 21 faturave nga 2018-2021, në shuma te ndryshme që variojnë nga 80 milionë lekë të vjetra deri në 313 milionë lekë të vjetra në vit. Emri i tij doli në skenë në dëshminë që dha në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, administratorja e koncesionit të Tiranës, Arjola Kodra.
Administratorja Kodra ka bërë të ditur se firma e “Integrated Energy BV SPV”, ka paguar konsulencën për kompaninë “Ave Consulting” sh.p.k. Kjo kompani, sipas Arjola Kodrës, është supervizore e koncesionit! “Kush është supervizor? Shoqëria ‘Ave Consulting’ sh.p.k. Autori është zoti Arben Dervishaj”, iu përgjigj Arjola Kodra pyetjeve të kryetares së këtij Komisioni, Jorida Tabaku.
Por sot Dervishaj u shpall i pafajshëm, duke lënë qelinë./L.F-dritare.ne