
Ibuprofen dhe paracetamol. Mjeku Beltoja tregon kurën që përdori për Rudina Xhungën!
Dritare.net
Alban Beltoja, mjeku shqiptar në Itali i ftuar në Shqip show nga Rudina Xhunga, ne Dritare Tv foli për trajtimin e pjesës më të madhe të pacientëve me Covid-19. Duke u nisur nga eksperienca e gazetares Xhunga e cila kaloi kovidin e mjekuar prej tij, Beltoja tregoi trajtimin që duhet të përdorin pacientët e infektuar duke nisur që nga momenti i parë.
“Nëse ke temperaturë do të merrni një paracetamol edhe një antiinflamator, josteroid, ibuprofen them unë por mund të jetë çfarëdolloj antiinflamatori. Domethënë jo kortizon. Kjo sepse do mundohemi të bllokojmë një reaksion inflamator i cili në fund të javës së parë të sëmundjes mund të marrë një drejtim tjetër dhe të përkeqësohet. Ky është trajtimi i vetëm që rekomandohet për 80% të të sëmurëve të cilët paraqesin vetëm temperaturë, dhimbje koke dhimbje muskujsh, rrufë apo simptoma të tjera. Nisja që ditën e dytë të kortizonit deksametazonit e të tjera do të ndikonte për keq në ecurinë e sëmundjes sepse bllokon përgjigjen imunitare që ka trupi i njeriut dhe e vë në zbatim. Përdorimi i hershëm i antibiotikëve apo kortizonikëve jo vetëm janë të padobishëm për ecurinë e sëmundjes, por kemi parë shumë herë që janë edhe të dëmshëm. Mund të jenë edhe një nga shkaqet e përkeqësimit te sëmundjes gjatë javës së dytë e më tej.
Gjithashtu në rastin e Rudinës unë ia këshillova në dozë të vogël dhe vetëm dy ditë heparinën, por varet nga rasti. Heparina është e vetmja që ka treguar efikasitet shumë të lartë në trajtimin e kovidit që në fazat e para te personat në rrezik, ata që kanë diabet, obezitet, hipertension. Pra njerëzit që predispozohen të sëmuren rëndë nga kovidi. Në këto raste sa më shpejt të niset aq më mirë është, gjithmonë me një dozë profilaktike dhe duhet vendosur nga mjeku cila është doza më e drejtë. Për vitaminën D nuk ka asnjë indikacion se përmirësojnë gjendjen. Është e vërtetë që shumë të sëmurë rëndë paraqesin nivele të ulëta të vitaminës D por nuk e dimë nëse kjo është me lidhje shkak-pasojë”, u shpreh mjeku Beltoja.
Një tjetër moment ku mjeku ndaloi ishte debati që pati me Rudina Xhungën paciente, për të mos bërë skaner sapo ajo pati kollë, por vetëm analiza gjaku.
“Skanerët, grafitë, antibiotiket, kortizonikët do e nxjerrin kokën një ditë dhe ato jo vetëm nuk shpëtojnë të sëmurët, por i dëmtojnë ata. Për remdezivirin është e vërtetë që ka veprim ndaj infeksionit të Sars-Cov-2. Të gjitha studimet tregtojnë që i vetmi efekt pozitiv është ulja e ditëve të hospitalizimit. Por nuk ka efekt në rastet e rënda të kovidit. Pra është një shpenzim i kotë në rastet e lehta”, u shpreh mjeku Beltoja në Dritare Tv./dritare.net

















