
I përfshirë në disa ngjarje kriminale/ Prej vitesh në kërkim, arrestohet i riu nga Durrësi
Dritare.net
Policia ka vënë në pranga 27-vjeçarin, Ladjen Kadilli i cili prej vitesh ishte në kërkim për vepra të ndryshme kriminale. Forca e posaçme “Shigjetat” konstatoi një mjet që ndaloi 100 metra larg pikës së kontrollit te Pallati me Shigjeta. Drejtuesi i mjetit, pra Kadilli doli nga makina dhe iku me vrap duke mbajtur një çantë në dorë. Kur pa që policia i ishte vënë pas, Kadilli e hodhi në një kosh armën e zjarrit dhe u largua me shpejtësi. Pas afro 10 minutash ndjekjeje, “Shigjetat” e kapën dhe prangosën shtetasin 27-vjeçarin nga Durrësi.
Policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit tip pistoletë me fishek në fole gati për qitje dhe një krehër me fishekë luftarak. Pasi u shoqërua në komisariat, nga hetimet rezultoi se ky person ishte shpallur në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosja”, “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë të rendit publik”.
Kadilli është përfshirë në disa plagosje në Durrës. Por edhe në sherrin e 26 gushtit, me djemtë e deputetit socialist, Spartak Braho, i cili degjeneroi në kanosje me armë./K.C/dritare.net

















