
Tërmeti/ Pas Durrësit, nis dhënia e granteve dhe në Tiranë
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama tha se sot ka nisur dhënie e granteve në Tiranë, për familjet që do të rindërtojnë vetë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit
Rama gjithashtu tha se shumë shpejt do të nisë edhe shembja e godinave që konsiderohen të pabanueshme dhe të gjithë banorët e këtyre shtëpive do të marrin shtëpi të reja.
“Nis dhënia e granteve të meremetimit vetjak të banesave në Tiranë, të cilat u dëmtuan pjesërisht nga tërmeti i 26 nëntorit. 200 familje në banesa individuale dhe 2882 familje në banesa kolektive, përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Tiranë. Qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët, për meremetimet e dëmeve të tërmetit, në një shumë totale afro 8 miliardë lekë ose 80 milionë USD. Nga dita në ditë do të nisim punën në terren. Në Bashkinë e Tiranës do të fillojë shembja e godinave, që konsiderohen të pabanueshme dhe të parindërtueshme. Të gjithë banorët e atyre shtëpive do të marrin shtëpi të reja me kushte shumë më të mira”, tha Rama.
Kujtojmë se disa ditë më parë, ka nisur dhe dhënia e granteve në Durrës, për mijëra familje./E.B-dritare.net

















