
Sulmi i Metës ndaj Dumanit/ Flutura Açka: Lajthitje politike
Dritare.net
Deputetja Flutura Açka ka reaguar ashpër për sulmin e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndaj kreut të SPAK-ut Altin Dumani. Përmes një postimi në rrjete sociale, Açka shkruan se vetëm në Shqipëri ndodh që ish-presidenti i Republikës fyen rëndë publikisht kryetarin e SPAK-ut dhe asgjë nuk mund të ndodhë.
Postimi i Açkës
"Sepse Iliri nuk është çështje fiqiri. Vetëm në çmendinën tonë mund të ndodhë që ish-presidenti i Republikës fyen rëndë publikisht kryetarin e SPAK-ut dhe asgjë nuk mund të ndodhë.
Në një vend normal sot njëri prej tyre duhej të reagonte. Ose njëri të jepte dorëheqjen, ose tjetri të paditej në gjykatë.
Dikush tha sot me shpoti në Parlament se “Iliri nuk është mirë nga fiqiri”, kështu që i falet. Por, në këtë rast Iliri nuk është çështje fiqiri, por lajthitje politike harakiri.
Liria e fjalës ka kufi lirinë morale të fjalës.
Të shohësh shtetarët e tu që kanë pasur - dhe kanë - të gjitha privilegjet e mundshme me kushtetutë e pa kushtetutë, në këtë katandi, është keqardhje shumë e madhe.
Dhe pyesni akoma pse ikin shqiptarët!?'", shkruan deputetja Açka./K.C/dritare.net

















