Humbi djalin dhe gruan në tërmetin e 26 nëntorit/ Basha viziton familjen e Bujarit dhe ka dy pyetje për Ramën!
Dritare.net
Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka shkuar sot në Thumanë, ku vizitoi një nga familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Basha takoi Bujar Çukën i cili humbi gruan dhe djalin në atë tragjedi që do ta mbajmë mend gjatë. Ndërkohë, Basha thotë se, një vit pas tërmetit, Bujari dhe vajza e tij Megi, nuk kanë parë që të nxirren para drejtësisë përgjegjësit e asaj katastrofe.
“Sot vizitova familjen e Bujar Çukës në Thumanë që humbi bashkëshorten dhe djalin në tragjedinë e 26 nëntorit. Isha pranë tyre për t’ju dhënë forcë dhe shprehur ngushëllimet në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
1 vit pas tërmetit të 26 nëntorit, Bujari dhe vajza e tij Megi nuk kanë parë të bëhet drejtësi për përgjegjësit e asaj katastrofe ku ata humbën dy njerëzit e tyre të shtrenjtë, Fatmirën dhe Sardin. Është e papranueshme të shohësh se sa pak ka bërë qeveria që prej fatkeqësisë. Kemi dëgjuar kaq shumë premtime dhe kaq pak rezultate. Si gjatë gjithë kësaj kohe edhe sot u takova me familje që për fat të keq pritet ta kalojnë dhe dimrin e dytë në çadra. Puna për rindërtimin është larg nga përmbushja. Vetëm një pjesë e donacioneve dhe ndihmës ka shkuar tek qytetarët e prekur nga tërmeti. Ku janë paratë e donatorëve? Ku janë premtimet? Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Familjet shqiptare meritojnë më shumë. Shqipëria ka nevojë për një qeveri funksionale që punon për njerëzit. Ne do ta bëjmë këtë qeveri dhe do t’i sjellim shpresë Shqipërisë.”-shprehet Basha./K.C/dritare.net