Rritja e rasteve me Covid-19/ Kryeministri i Kosovës: Nuk ka më vende tek Infektivi
Dritare.net
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një deklaratë për medie u ka bërë apel qytetarëve që të kontribuojnë në luftën me koronavirusin, duke respektuar masat në mënyrë që të mos mbyllet sërish ekonomia. Ndër të tjera, Hoti tregon se Klinika Infektive është mbushur plot me pacientë me Covid-19 dhe tashmë po krijojnë vende shtesë në spitalet rajonale.
“Janë duke u krijuar vende shtesë nëpër spitale rajonale. Mesazhi që unë dëshiroj ta jap sot drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët është që jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmoni që të mos e mbyllim komplet ekonominë sikur që ka ndodhë para tre muajve.",- tha Hoti.
Kryeministri gjithashtu tha se është e detyrueshme vendosja e maskave dhe ata që nuk e vendosin po shkelin ligjin.
“Masat janë të thjeshta, shumë të qarta, maskat, distanca dhe larja e duarve, jemi të obligueshëm të gjithë t’i marrim këto masa, kur ecim, kur hipim në autobus. Çdo kush që nuk i zbaton këto masa, bën vepër penale, sepse rrezikon shëndetin e vet, jetën e vet dhe shëndetin e të tjerëve.",-shpreh ai./K.C/dritare.net