
Hekurudha kuqezi Durrës-Prishtinë, Rama: S’ka lidhje me zgjedhjet!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama foli për hekurudhën kuqezi, që lidh Durrësin me Prishtinën. Rama thotë se ky projekt nuk ka lidhje me zgjedhjet pasi projekti është prezantuar që në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje këtu nga kantieret e Korridorit 8-të dhe në ndërkohë, disa reagime lidhur me komente interesante për projektin e hekurudhës Kuq e Zi Durrës-Prishtinë.
Koment: Hekurudhë që s’do mbarojë kurrë e që nuk do të bëhet kurrë. Interesante pikërisht në kohë zgjedhore kryeministri zgjedh të publikojë këtë Projekt që s’do të realizohet kurrë, miliarda do t’i kushtojë popullit.
Kryeministri Edi Rama: E para Adhurim, ky projekt është prezantuar në çdo fazë të tijën, madje edhe në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive kur ishte në nivelin e projekt idesë. Pra nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me fazën e re kur konsulentët austriakë kanë përcaktuar opsionin e kalimit nga Shkodra përmes Gjakovës në Prishtinë si më të mirin. Prandaj dhe ekipi ynë i përbashkët ka parë të udhës ta bëjë me dije edhe mbylljen e kësaj faze, sepse jeta vazhdon.
E dyta, Adhurim se sa do të kushtojë këtë do ta nxjerrë projekti i detajuar, i cili përsëri do të bëhet nga një ekspertizë ndërkombëtare e nivelit të lartë do të aprovohet nga Fondi Europian i Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Por një gjë është e sigurtë, që pa lekë, hekurudha nuk bëhet dot dhe a do mbarojnë, a s'do mbarojnë këto projekte, këtë fatmirësisht nuk e kanë në dorë ata që vetëm shajnë dhe tallen nga kafenetë e Tiranës apo të Prishtinës, po e kanë në dorë ata që projektojnë dhe punojnë në llogoren e të ardhmes.
Koment: Mbaro të Durrësit njëherë se je larg. Ti s’po bën akoma hekurudhën Tiranë- Durrës.
Kryeministri Edi Rama: Erzen, Rudin, që të merrni vesh programi i hekurudhave është një pako e re dhe tërësore, të cilës i ka ardhur koha tanimë dhe e cila është hapur me Tiranë, Rinas, Durrësin, ku puna po shkon drejt përfundimit. Por çka duhet ta dini për kulturën tuaj të punëve në këtë vend, që më duket shumë e kufizuar dhe pastaj talleni as talleni, kjo është puna juaj, e drejta juaj, është fakti se vonesat e fillimit të punimeve në atë hekurudhë kanë qenë të lidhura me pozicionin ende të dobët të Shqipërisë deri para ca vitesh, kur ende nuk na merrnin shumë seriozisht, as BE-ja, as bankat e saj zhvillimore, të cilat janë burimi i financimit të pakos së hekurudhave përmes Fondit Europian të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Sot është një histori tjetër dhe prandaj jemi në procese të avancuara në hekurudha Durrës-Hani Hotit, ku nis puna brenda këtij viti. Durrës-Rrogozhinë dhe pastaj, ose Rrogozhinë-Pogradec dhe pastaj Durrës-Rrogozhinë, hekurudha e Korridorit 8-të apo Durrës-Fier dhe Fier-Vlorë. Të gjitha këto nisin me radhë njëra pas tjetrës, po jo më vonë se në 2030-ën. Të tëra janë në procese ndërtimi të ndryshme dhe në fillimin e dekadës tjetër, do të jenë të tëra në punë dhe të dy ju do të keni mundësi të shfrytëzoni edhe trenin.
Koment: Duhet të mbarosh ato që ke lënë, pastaj bo plane të tjera 3D.
Kryeministri Edi Rama: I dashur Eridion, çdo vepër e re publike që nis ka një ëndërr. Pastaj bëhet plan, pastaj plani bëhet projekt 3D, dhe pastaj projekti 3D kthehet në vepër. Për hir të vërtetës, mendoja që s'ka më njerëz që vazhdojnë me këtë avazin 3D, 3D, 3D se ne e kemi treguar që 3D tona janë thjeshtë hallka e parafundit e realizimit të një ëndrre dhe e kthimit të saj në realitet, po e paskam pasur gabim dhe shyqyr në fakt se na duhen hudhra si ti, i dashur mik për të mos pasur më shumë probleme sa duhet dhe sa mundet me syrin e keq. Ndërkohë që, Shqipëria 2030 po merr formë dita ditës me shumë ëndrra, me shumë punë dhe patjetër dhe me shumë durim. Se përveç të gjitha të tjerave, duhet edhe durim ekstra për të përballuar ty dhe shokët e tu./L.F-dritare.net

















