Grubi shpallet non grata! Gazetari nga Maqedonia e Veriut: Si e ka dëmtuar vendin ish-zëvendëskryeministri!
Dritare.net
Departamenti i Shtetit Amerikan futi në listën e zezë Artan Grubin ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e BDI-së. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka deklaruar se Artan Grubi duhet të tërhiqet nga funksionet në BDI.
I ftuar në Intervistën e Ditës në Dritare TV nga Maqedonia e Veriut, gazetari Naser Selmani foli në lidhje me këtë zhvillim të fundit.
“SHBA shpalli person non grata ish zëvendës kryeministrin Artan Grubi, si dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Behxheti. DASH tha se Grubi dhe Bexheti janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret.
Ishte ky njeri që për 8 vjet e zvarriti procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Ky është një vendim shumë i rëndësishëm, sepse u heq maskën të gjithë atyre që janë kundër perëndimit dhe pro Kremlinit.
SHBA-të e thanë qartë që Grubi është përfshirë në korrupsion të lartë. Tani është koha e përgjegjësisë. Ata nuk janë shqiptarë e patriotë, por anti-shqiptarë. Tani e gjithë drejtësia maqedonase është në test, madje edhe vetë shteti e qeveria pasi SHBA-të e thanë qartë që Grubi duhet të përgjigjet për korrupsion të lartë”, tha zoti Selmani në Dritare TV./L.F-dritare.net