Gruaja nga Tirana që refuzon prej 6 muajsh të ushqehet: Besoj te ringjallja!
Dritare.net
Pas ngjarjes së Kombinatit, banorët e një pallati në Tiranë kanë njoftuar policinë duke vënë në dijeni se një grua 52-vjeçare, e cila jeton një kat më lart, ka ndërprerë ushqimin dhe nuk del më nga shtëpia.
Në një intervistë për gazetaren Anila Hoxha në Top Channel, nëna e Vjollcës (gruaja që beson në ringjallje), një inxhiniere ndërtimi, darkoi për herë të fundit natën e vitit të ri dhe më pas me justifikimin se kishte shqetësime në stomak ajo refuzoi ushqimin:
“Dy kokrra mandarina në ditë ha, dy fije patatinë dhe një çikë djathë edhe ujë. Këto ka ngrënë ajo që tre muaj”.
E bindur në fjalën e të bijës, e moshuara thotë se Vjollca është sëmurë, megjithëse shton se tre vite më parë familja ia ndaloi të frekuentonte një grup fetar. “Ia ndërpreva unë”, thotë nëna e saj.
Gruaja kujton se një vit më parë dy persona deshën ta takojnë, por ajo i refuzoi.
“Ata ishin me pantallona blu dhe me këmishë të bardhë”, deklaron e ëma.
E shtrirë në krevat, Vjollca këmbëngul se është sëmurë ndaj nuk ushqehet dhe se pas njoftimit, policia i kontrolloi shtëpinë dhe madje e çuan edhe në spital.
“Jam shumë e sigurt, ky është problem mjekësor. Jam sëmurë, po ata persona vazhdojnë më kërkojnë, ata janë të interesuar, sepse muhabeti im në një farë mënyre ka marrë zgjidhje. Prisja zgjidhje që të arrija një besim, me ata persona të arrija besimin tim.
Besimi im në një farë mënyre është përhapur, tani ka ngelur te ata persona, se unë e ndjej veten shumë sëmurë. Unë hyra sepse pashë diçka të vërtetë në besimin e tyre, jo plotësisht në atë besimin e plotë që ata kishin, sepse ata besojnë në një farë ringjalljeje të vërtetë, jo vetëm frymore. Besoj te ringjallja, ringjallesh përsëri, kthehesh në një trup të përjetshëm”, deklaron Vjollca e bindur se do të ringjallet.
Ky rast është referuar në prokurori, që do të vlerësojë nëse gruaja është vërtetë sëmurë apo po përdor justifikime për të bindur të afërmit se nuk ka motive të tjera që i di në fakt vetëm ajo./TCH