Gjyqtarja la të lirë autorin që dhunoi gazetarin Gjergj Zefi, reagon Unioni i Gazetarëve!
Dritare.net
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas skandalit ku gjyqtarja Armela Hasantari ka lënë të lirë dhunuesin e gazetarit dhe editorit Gjergj Zefi.
Unioni i Gazetarëve shprehet se vendimi i gjyqtares Hasantari, ku sipas saj dhunuesi Renato Boduri lihet i lirë për mungesë provash, është zhgënjyes dhe kompromentues.
Sipas Unionit të Gazetarëve ky rast është alarmant për sigurinë e gazetarëve.
“Lënia e lirë e dhunuesit Renato Boduri nga gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, i cili goditi në mënyrën më banditeske gazetarin Gjergj Zefi në datën 3 tetor të këtij viti, ka shkaktuar zhgënjim dhe befasi për gazetarët dhe organizatën tonë profesionale.
Akti banditesk i tij mbi gazetarin Zefi, tronditi opinionin publik dhe u lexua si një sulm i organizuar mbi median dhe gazetarët që raportojnë për krimin dhe strukturat e tij. Personi në fjalë njihet për precedente të cilat janë raportuar në kohë të ndryshme.
Sulmi i tij mbi gazetarin, duke e lënë atë pa ndjenja, në mes të rrugës, ndërsa po dilte nga redaksia e tij, përbën një rast të rëndë. Organet e Policisë së Shtetit pas disa përpjekjeve bënë të mundur ndalimin dhe Prokuroria e Tiranës kërkoi arrestimin e tij për veprën penale "Goditje për shkak të detyrës", referuar nenit 237/5.
Vendimi i gjyqtares, sipas të cilit, personi lihet i lirë për mungesë provash, është zhgënjyes. Provat autentike të filmimit të ngjarjes dhe pohime të tjera kanë qenë "dëshmia kokëfortë" për të vërtetën e ndodhur dhe autorin tashmë të pandëshkuar.
Sidoqoftë, vendime të tilla shtojnë zhgënjimin ndaj drejtësisë dhe përballjes së saj me krimin dhe strukturat e tij.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e denoncon këtë vendim mosndëshkimi të dhunuesit të gazetarit, si një rast alarmant për sigurinë e gazetarëve dhe reporterëve në përgjithësi. Apelojmë pranë institucioneve dhe organizatave që mbrojnë lirinë e mediave dhe sigurinë ndaj gazetarëve për ta ndjekur këtë rast dhe ecurinë e mëtejshme të këtij procesi.”-thuhet në reagim.
Dhunuesi Renato Bodurri, u arrit pak ditë më parë të kapej nga policia, pas shpalljes në kërkim për një kohë të gjatë, duke sekuestruar me cilësinë e provës edhe makinën me të cilën është larguar pak momente pas sulmit barbar ndaj gazetarit Zefi.
Policia, i ka dërguar të gjitha materialet në prokurori, e cila ka kërkuar ''arrest me burg'' për Bodurrin. Por gjyqtarja, Armela Hasantari e ka lënë me detyrim paraqitje, pasi sipas saj nuk ka prova të mjaftueshme./dritare.net