
GJKKO zbardh vendimin: Përgjimi që çoi në burg Fredi Belerin!
Dritare.net
Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin e arsyetuar me të cilin mbylli për 2 vjet pas hekurave Alfred Belerin, si fajtor për “korrupsion në zgjedhje”.
Në vendimin prej 90 faqesh, treshja gjykuese arsyeton se Alfred Beleri dhe i bashkëpandehuri i tij Pandeli Kokaveshi e kanë konsumuar veprën penale mes veprimeve të kundërligjshme në dy forma, me anë të ofrimit dhe dhënies së të hollave për zgjedhësin, ose për persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim që ai të votojë në një mënyrë të caktuar.
“Gjykata çmon se marrja e provave dhe fiksimi i tyre në aktet proceduriale është kryer në respektim të plotë të ligjit. Provat e paraqitura nga organi i akuzës nuk janë të dyshimta, të pakonfirmuara dhe kontradiktore, por ato janë të lidhura në sinkron me njëra-tjetrën.
Shtetasi Arsen Rama e ka pyetur të pandehurin Dhionisios Alfred Beleri, nëse do t’i mbledhë njerëzit dhe t’ia japë vetë, por ai i ka thënë qe nuk merret ai me atë punë, ndërkohë që shtetasi Arsen Rama i ka lënë një kopje të listës me emrat e votuesve.
Kjo bisedë ka këtë përmbajtje:
D- Hë, ça bëre. Kam nja pesmet veta, kur do lësh takim.
F-Ç’janë ata?
D- Votues, të tutë!
F- Po nuk merrem me atë pjesë unë, po merrem ….
D- Ti e di, kam mbledhur, po do të ti sjell, ti takosh.
F- Nuk dua ti takoj, dua emrat.
D- Emrat, të të bëj listën, të ti sjell këtu.
F- Nuk duhet të mi sjellësh, do më sjellësh listën ti.
D- Po.
F- Edhe do i them unë..(nuk kuptohet).. për tu takuar po në qoftë se s’keni kontaktuar do të flasim prap bashkë.
D- Ok
F-Sot o vlla.
D- Sot, erdha!
Po në datë 10.05.2023, shtetasi Arsen Rama ka komunikuar në telefon me të pandehurin Dhionisios Alfred Beleri dhe i ka thënë se listën ia kishte dorëzuar sekretares së tij. Dhionisios Alfred Beleri i ka thënë se do ta verifikonte një gjë të tillë dhe do të komunikonin sërish bashkë për tu takuar.
Në vijim të kësaj bisede, sërish në datë 10.05.2023, ata janë takuar me njëri-tjetrin në lagjen “Potam”, jashtë ambienteve të lokalit “G…”, ku sipas bisedave ambientale të përgjuara kanë biseduar lidhur me listën prej 13 personash të dorëzuar dhe shumën monetare që duhej të perfitonte secili prej tyre në këmbim të votës pro kandidatit Dhionisios Alfred Beleri. Në këtë bisedë, ky i pandehur i ka premtuar shtetasit Arsen Rama se do të paguante shumën prej 50 euro për person dhe 300 euro për të.", thuhet në vendim./K.C/dritare.net

















