Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

GJKKO liron nga burgu CEO-n kinez të Bankers Petroleum

GJKKO liron nga burgu CEO-n kinez të Bankers Petroleum

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur lirimin nga qelia dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për CEO-n kinez të kompanisë “Bankers Petroleum”, Hongping Xiao.

Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), GJKKO zgjati me tre muaj afatet e hetimit për dosjen “Bankers”, për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe nevojës për kryerjen e veprimeve shtesë hetimore.

Hongping Xiao ishte i vetmi person në masën “arrest në burg” për këtë çështje, ndërsa të pandehurit e tjerë janë lënë në masa më të lehta sigurie, kryesisht “arrest shtëpie”.

Hetimet e SPAK lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare gjatë periudhës 2004–2024, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar.

Sipas Prokurorisë, kompania “Bankers Petroleum” ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej rreth 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar humbje për çdo vit financiar, me një total prej 11.7 miliardë lekësh. Këto deklarime dyshohet se kanë shërbyer për shmangien e tatimit mbi fitimin dhe përfitimin e rimbursimeve të dyshimta të TVSH-së.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e kompanisë “Bankers Petroleum” për shkak të një gjobe prej 120 milionë eurosh të papaguar, të vendosur në vitin 2019, pasi kompania nuk kishte shlyer 30 milionë euro akcizë për holluesin e përdorur në procesin e nxjerrjes së naftës./K.C/dritare.net