
Genc Sulçebe: Mutacionet e virusit janë normale, variantet e reja do të dominojnë SHBA dhe Evropën!
Dritare.net
I ftuar në “Shqip show” në Dritare.tv, profesor Genc Sulçebe ka folur për variantet e reja të Covid-19, ku ka theksuar se mutacionet janë normale. Sipas tij, variantet e reja të Covid-19 janë 2 deri në 3 herë më ngjitëse se virusi. Sulçebe ka shtuar se është pikërisht prania e variantit anglez të kovidit që ka shkaktuar rritje të vatrave të infektimeve në vendin tonë.
Genc Sulçebe: Është normale që ky virus të pësojë mutacione sepse duke u transmetuar në individë të ndryshëm, ai shumëzohet dhe në këto shumëzime, ARN-ja e tij e cila është e thjeshtë, përson mutacione, ndryshime.Një pjesë e tyre janë të dëmshme për virusin dhe ai nuk shumëzohet më, ndërsa një pjesë i shpëton sistemit imunitar, dhe ky që shpëton bëhet më ngjitës më i rrezikshëm. Kështu kemi mutacionin anglez i cili është ai që dominon sot në SHBA dhe Evropë, atë të Afrikës së Jugut, dhe atë brazilian. Dy të fundit janë të ngjashëm me njëri-tjetrin. Janë 2 deri në 3 herë më ngjitës sesa varianti i mëparshëm dhe mendohet se shkaktojnë një sëmundje disi më të rëndë.
-Prania e variantit anglez e ka shkaktuar këtë rritje të vatrës së infektimeve në Shqipëri?
Genc Sulçebe: Padyshim, kemi konstatuar se kemi të bëjmë me këtë variant në Shqipëri dhe ky variant po bëhet dominues në Evropë dhe gjatë muajit mars do të jetë dominues në të dyja kontinentet, në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Është më ngjitës dhe në këtë mënyrë është edhe më problematik. Është garë që bën virusi për të mbijetuar. Ndaj dhe vaksinimi duhet të jetë sa më masiv, më i shpejtë që të konkurrojë virusin, para se ai të krijojë mutacione të reja. Është një garë mes vaksinës e cila synon të pengojë transmetimin e virusit dhe virusi që do të mbijetojë./M.M-dritare.net

















