
Fredi Beleri flet për mediat greke nga burgu: Lufta jonë është e drejtë dhe në fund do të fitojmë!
Dritare.net
Marr forcë dhe kurajë nga mbështetja e banorëve të Himarës dhe të gjithë grekëve, tha Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës dhe kandidati për Parlamentin Evropian me partinë greke Demokracia e Re, në një intervistë për televizionin grek Alpha.
Lidhur me ndalimin e tij, Beleri komentoi se “qëllimi im ishte të merrja detyrën si kryetar i Bashkisë së Himarës. Duke qenë se regjimi shqiptar dhe zoti Rama kontrollojnë Gjyqësorin dhe pothuajse të gjitha pushtetet në Shqipëri, nuk më lejuan që duke bërë një grusht shteti të merrja përsipër detyrat që më kishin ngarkuar himarjotët.”
Për kandidimin e tij ai tha se “është një detyrim i madh, nder i madh që më ka bërë kryeministri grek. Më jep forcë dhe kurajë të vazhdoj luftën time për mbrojtjen e të drejtave të himarjotëve, por edhe të gjithë diasporës në Shqipëri.”
Ai e quajti burgosjen e tij prej një viti “padrejtësi dhe hall”, por shtoi se këto i kishte marrë parasysh kur hyri në betejën për kryetar të Bashkisë së Himarës.
“Nuk mund ta imagjinoni se sa mesazhe mbështetëse marr nga shumë bashkatdhetarë të mi nga të gjitha trevat e Greqisë.”, shtoi ai.
Siç theksoi ai, “në asnjë moment nuk kam menduar të bëj një kompromis me regjimin shqiptar. Lufta jonë është e drejtë dhe në fund do të fitojmë.”, tha prerazi ai, shkruan protothema.gr
Fredi Beleri iu referua edhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili gjatë 11 viteve që ka qenë në pushtet “ka ndarë në të mirë dhe të këqij grekët që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, vartësit e tij dhe ata që janë kundërshtarë. Unë kisha zgjedhur të jem kundërshtar i tij, jo për ndonjë ideologji apo për ndonjë interes personal, por sepse pashë që të gjitha vendimet e tij si kryeministër ishin kundër himarjotëve dhe grekëve.”
Beleri e mbylli me një mesazh për grekët:
“Zgjedhja ime në Parlamentin Evropian, nëse bëhet me ndihmën e Zotit dhe natyrisht të grekëve kudo që ndodhen, do të më japë mundësinë të vazhdoj luftën time për demokraci dhe shtet ligjor. Nga kjo betejë duhet të dalim si helenizëm, krenarë dhe të lirë. Forca e tyre më jep forcë për të duruar dhe për t'i çuar gjërat më tej. Të çojmë zërin e minoritetit grek në Evropë.”, tha Beleri./K.C/dritare.net

















