
Flora Suldashi, stilistja shqiptare që krijoi fustanin e dasmës së princeshë Elias!
Dritare.net
Prestigjozja gjermane BUNTE.DE i ka dhënë një hapësirë veçantë intervistës me Flora Suldashin, stilistes shqiptare e cila krijoi fustanin e princeshë Elias në dasmën e saj me princ Lekën.
Intervista vjen pas lindjes se princeshës Geraldiné, e cila u raportua në shumë media të huaja.
Me markën e saj "Flora S", stilistja ka punuar me sukses me “Miss Germany Corporation” për vite me rradhë, duke mos lënë pa përmendur “Berlin Fashion Week”, dhe sfilatën e saj të suksesshme.
Por jo vetëm kaq, princeshë Elia zgjodhi pikërisht dorën e saj për të stiluar fustanin e ditës së dasmës mbretërore.
"Ne u njohëm me njëra-tjetrën përmes profesioneve dhe rrethit tonë miqësor dhe u mirëkuptuam menjëherë. Princeshë Elia është gjithashtu një artiste”, thotë Flora, modelet e së cilës janë të gjitha unike.
Mes të tjerave ajo ka zbuluar një detaj mjaft interesant. Copa me të cilën është qepur fustani i Elias është bërë nga e njëjta fabrikë në të cilën është bërë fustani i Kate Middelton.
Një pjesë ishte e bërë prej mëndafshit të sjellë nga Londra, ndërsa pjesa tjetër, ajo e sipërmja është prej dantelle gjermane.
"Dasma ishte planifikuar shumë mirë paraprakisht dhe natyrisht pamja e princeshës ishte në plan të parë. Ne kemi dhënë shumë mendime në skicimin e veshjes, sepse kemi dashur të pasqyrojmë stilin e veçantë dhe elegant të mbretërisë në të. Veshja duhej të ishte perfekte, me elegancë mbretërore, e përshtatshme për rastin, në të njëjtën kohë e përjetshme dhe moderne dhe te reflektonte identitetin e princeshës”, ka thënë stilistja. Për të duket se ka qenë një sfidë e kaluar me sukses.
Fustani i dasmës mbetet si pasuri e historisë së mbretërisë dhe do te ruhet në muze.
Ndërsa sjell në kujtime natën para dasmës ajo thotë se gjithçka ishte si në përralla, sikur pallati ishte zgjuar nga gjumi.
Flora ka rrëfyer më tej se te gjithë janë gëzuar shumë për ardhjen në jetë te princeshës Geraldiné dhe se princ Lekës e princeshë Elias u shkëlqejnë sytë nga lumturia.
E pyetur se do të marrë pjesë në pagëzimin e Geraldinés, dhe a do të krijojë fustane për të , Flora thotë se me deshirë do te ishte pjesë e kësaj ceremonie dhe se për krijimin e fustaneve e ka nisur frymëzimin, por gjithçka mbetet ta tregojë koha./M.M-dritare.net

















