
Denaj-Ylli: Bojkoti i futbollit për interesa politike, pas gjithçkaje fshihet Duka
Dritare.net
Ministrja e Financave, Anila Denaj, bashkë me deputetin e PS-së, Fidel Ylli, i cili njëkohësisht është edhe personi përgjegjës për të negociuar me Ligën Profesioniste të futbollit, kanë dalë sot në një konferencë për medie. Denaj e ka cilësuar si presion ndaj qeverisë, bojkotin që presidentët e klubeve shqiptare i kanë bërë kampionatit të futbollit.
“Futbolli nuk duhet të jetë mjet shantazhi ndaj Qeverisë. Kemi bërë miratimin e Ligjit që nxit sponsorizimet. Kemi folur për formalizim, për sfidat e saj në të gjitha fushat e ekonomisë. Nuk është produkt i një qeverisje. Kemi folur për informalitetin edhe në futboll. Duam që klubet të formalizohen në një afat 2 vjeçar, për t’u ndihmuar. Klubet nga 2 vjet duan që kjo të shkojë në 10 vjet. Kërkesa e tretë ka të bëjë me gjobat dhe faljen fiskale. Duam ta shohim këtë kërkesë si diçka që nxit investimet në terrenet sportive, duke nxitur investimet. Kërkesa e fundit është TVSH, zbritja e saj nga 20 në 6 përqind, si sektori I Turizmit apo Bujqësisë. Kemi ulur në 6 përqind TVSH e investimeve në infrastrukturën sportive. Biznesi që drejton ligën të shkëputet nga aktiviteti I tij dhe të nxisë sportin në mënyra të tjera.”, tha ministrja.
Ndërsa Fidel Ylli, njeriu që u mor vitet e fundit me ligjin e ri për sportin që kundërshtohet kaq shumë nga aktoret e futbollit, u shpreh i zhgënjyer për refuzimin e palëve për të negociuar dhe zgjidhur problemin që ata kanë.
“Jo vetëm kryeministri, por edhe kryetari i parlamentit më kanë deleguar mua për të negociuar me këto grupe interesi. Siç e patë edhe dje, në tavolinë me mua ishin të gjithë ata që kanë një eksperiencë të madhe në këtë fushë. Pritëm Ligën Profesioniste të vinte.Sa për dijeni kam një shkresë që i dërgohet kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit. Ndër të tjera thuhej se janë gati për t’u takuar. Unë i ftova dhe në moment Edvin Libohova më tha: “Jam shumë i lumtur që do të takohemi”. Ne bëjmë gati vendin e takimit. Më sugjeruan “Air Albania”, por në fund vendosëm që ta bëjmë takimin te Ministria e Financave."-tha ai.
Ylli shënjestron Armand Dukën, si njeriu që fshihet pas bojkot dhe pas Ligës Profesioniste.
"Unë dua të bëj një pyetje: Ku e ka Liga selinë? Sa e ka buxhetin? E ka 0! Arbitrat kush i cakton? Federata! Politikat e zhvillimit? I cakton Federata! Unë mendoj se duhet të dalë hapur presidenti i FSHF-së bashkë me grupin që ka iniciuar. Të gjitha kërkesat ne i kemi analizuar, por s’është normale kjo që t’i bësh presion qeverisë. I bëj thirrje Koço Kokëdhimës që është miku im, që ka bërë një klub model, që sporti në 30 vjet është informal.Duhet të ndjekin të gjithë klubet modelin e Koços. Futbolli prej 30 vitesh është informal. Nuk është normal, që qytetarët të shkojnë në bashki dhe të japin taksa një miliardë për një klub të Kategorisë së Dytë. Edvin Libohova është kryetar i komitetit dhe tashmë është vënë kryetar i Ligës. FSHF-ja e bëri edhe njëherë për t’i hedhur hi syve UEFA-s dhe FIFA-s. Nuk mund të pranoj unë që si qytetar të pranoj që taksat e mia të bëhen rroga për skuadrat. Ligji i sportit ka kaluar në kuvend me 90 vota, e ka mbështetur edhe federata. Ky ligj është kushtetuta e sportit. Për këtë duhet të flasim, nëse është ligj europian apo jo. Çfarë janë probleme shtesë për sponsorizimin, duhet të hiqen. Ne kemi thënë se të gjitha materialet do futen pa takse dhe pa doganë, për të ndihmuar sportin. Ne kemi bërë investime në sport, sa nuk janë bërë për 100 vite. Kërkesat janë të drejta, i kemi analizuar të gjitha. Për ligjin e sponsporizimit do ulemi të flasim, pasi as unë nuk jam i kënaqur me këtë që është tani. Pa dashur të ofendoj njeri, njerëzit e sportit nuk lexojnë shumë. Unë jam në krahun e tyre, kam dy ditë bëj debate me ministren. Nuk bëhet fjalë vetëm për futbollin, por për gjithë sportin, pasi ende nuk ka pista. Na është bërë mendja vetëm futboll, por jo, duhet të shikojmë të gjithë sportin. Këto janë politike, pasi ja erdhën zgjedhjet në prill. JO! Sporti larg politikës. Sporti duhet të na bashkojë. Çfarë të bëjmë ne, kur këta nuk vijnë të diskutojmë.”, tha Ylli./K.C/dritare.net

















