Me hirin e nënës nga SHBA në Tiranë, për të plotësuar amanetin!
Dritare.net
Prej 26 vjetësh Fotini Kokeri jeton me familjes e saj në SHBA. Ajo iku në 1997-ën nga Shqipëria bashkë me burrin dhe djalin, pasi fitoi lotarinë amerikane, e cila i hapi shumë dyer në jetë, pavarësisht vështirësive të mëdha që hasi në fillim. Tani Fotini është drejtore ekzekutive e fondacioneve Koslosky, dhe i menaxhon ato bashkë me familjen e saj.
Fotini tregon në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare Tv se ardhjet në Shqipëri sa vijnë edhe rrallohen, për shkak se jeta, puna, familja e saj tani janë në Amerikë. Ajo thotë se këtë herë erdhi në Shqipëri për të sjellë hirin e nënës, e cila ndërroi jetë vitin e shkuar dhe dëshira e fundit ishte të prehej afër babait të fëmijëve të saj. E ëma ia kishte lënë porosi me gojë vajzës që mos e sjellin trupin në Shqipëri, pasi kushton 50 mijë dollarë, po ta djegin edhe të sjellin hirin e saj. Këto pra janë nënat fisnike shqiptare, që edhe në momentet e fundit mendojnë për fëmijët e tyre dhe si t’ua bëjnë gjërat dhe jetën më të lehtë.
“Unë jam kthyer në Shqipëri për të sjellë hirin e nënës sime. Të dielën kemi 1-vjetorin e vdekjes së nënës. Ajo ndërroi jetë në mars të 2022-shit nga infarkti. Ne i bëmë një ceremoni mortore në Amerikë, në Shqipëri do mblidhemi miq e familjarë për ta kujtuar. Dëshira e saj e fundit ishte që të prehej bashkë me babanë tim. Ajo kishte marrë lemeri nga çmimet që duheshin paguar për të sjellë një trup të pajetë në Shqipëri. Dhe më thoshte: Se mos harxhosh 50 mijë dollarë që të më çosh trupin në Shqipëri. Me ato 50 mijë dollarë shko me pushime, se ke punuar, je lodhur. Edhe e lamë që do djegim trupin dhe e sollëm hirin e saj në Shqipëri, me certifikatë me vete.”, tha Fotini në emisionin “Shqip” në DritareTv./K.C/dritare.net