
Edi Rama: Ai që deri dje ishte një karrige më tutje nga unë, sot është në kërkim falë drejtësisë sonë
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama nga Kuvendi Rinor i PS-së, ka thumbuar ish-zv.kryeministrin, Arben Ahmetaj, i cili prej korrikut të vitit 2023 është në arriti pasi një urdhërarresti ndaj tij nga SPAK.
Teksa fliste për Reformën në Drejtësi, kreu i qeverisë u shpreh se “ai që deri dje ishte një karrige më tutje nga unë, sot është në kërkim nga drejtësia”.
“Duke sharë, shpifur, akuzuar, sajuar, fabrikuar pështyrë, bërtitur ulëritur ata do ju thonë se unë dhe ne jemi çdo gjë që në fakt janë ata vetë. Por ju do të shikoni Shqipërinë dhe do ti thoni vetes dhe të tjerëve, kush e bëri më të mirë mund ta bëjë edhe më të mirë akoma, ndërsa kush e la keq do ta bëjë sidomos më keq.
Ata do ju thonë se unë dhe ne jemi një çetë hajdutësh sepse ja ky dhe ai që ishin deri dje me ne, madje deri një karrige më tutje nga unë janë sot në duart e drejtësisë apo në kërkim nga drejtësia por ju do i thoni vetes e të tjerëve se po të mos ishim ne socialistët që e përdorëm pushtetin tonë për ti dhënë pavarësinë drejtësisë sot nuk do të kishte asnjeri të lidhur me pushtetin politik të sotëm apo të djeshëm para drejtësisë sic nuk pati kurrë më parë, nga viti 1912 deri kur ne bëmë reformën në drejtësi.
Reformën në drejtësi e bëmë jo për të luftuar kundërshtarët përmes drejtësisë por për tu dhënë për herë të parë në histori shqiptarëve shansin real për ndërtimin e një shteti të së drejtës që ky popull nuk e ka pasur kurrë. Sot PS ka shansin historik të ndërtojë një shtet të së drejtës me çdo dhimbje, kosto e çdo çmim por me vendosmërinë e arritjes së atij suksesi që do të mbetet në histori.
Do ju thonë ka ardhur koha që Edi Rama e PS të ikin e ju do i thoni vetes dhe atyre po ne do të ikim, por do ikim vetëm përpara. Sa më shumë të na lehin nga prapa aq më shumë do të ikim përpara se aq më larg do të duam të jenë zërat që na gërricin veshin me lehjet e tyre”, u shpreh Rama sot./L.F-dritare.net

















