E rëndë në Durrës/ Tre familjarë nga Kosova vdesin pas helmimit nga kërpudhat, procedohen mjekët për mjekim të pakujdesshëm
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë u shënua sot në Durrës. Tre familjarë nga Kosova, të cilët kishin ardhur me pushime në Gjirin e Lalzit, ndërruan jetë si pasojë e helmimit nga kërpudhat. Policia njofton se, familjarët i kishin mbledhur vetë kërpudhat dhe pasi i hëngrën u helmuan. Ata shkuan në spital por nuk u trajtuan siç duhet. Ndaj policia procedoi penalisht sot tre mjekë që punonin në qendrën shëndetësore në Manëz, për mjekim të pakujdesshëm ndaj tre familjarëve nga Kosova. Mësohet se nëna dhe djali humbën jetën dje teksa bashkëshortja e këtij të fundit ka vdekur sot.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale "Mjekim i pakujdesshëm", shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qëndrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe ( famijarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpurdha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.", njofton policia./K.C/dritare.net