Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dorian Koçi: Pa Ali Pashën, nuk do të kishim shqiptarë në Epir!

Dorian Koçi: Pa Ali Pashën, nuk do të kishim shqiptarë

Studiuesi dhe historiani Dorian Koçi, në 201 vjetorin e vdekjes, vlerëson se figura e Ali Pashës ka rëndësi të veçantë për historinë e shqiptarëve. Pa figurën e tij, thotë Koçi në intervistën për Dritare TV me gazetaren Jonida Hitoveizi, prania e shqiptarëve në Epir do të ishte e vakët. Koçi ndalet edhe tek ajo çfarë duhet të bëjë më shumë shteti shqiptar për vlerësimin e kësaj figure, duke sugjeruar që të paktën, delegacionet shqiptare kur shkojnë në Janinë, të ndalojnë dhe tek varri i trupit të Ali Pashës dhe të vendosin një buqetë me lule, ashtu siç bëjnë grekët për figurat e tyre

Një detaj tjetër që Koçi zbuloi për Dritare TV, është fakti se Khani i fundit i Krimesë i dhuroi shpatën e veçantë Ali Pashë Tepelenës, një simbolikë e vendosjes së sovranitetit të këtij vendi në Janinën e Ali Pashës.

Pjesë nga biseda me Dorian Koçin në Dritare TV:

Shteti shqiptar në 200 vjetorin e Ali Pashës edhe për shkak të një viti pas pandemisë e kaloi pothuajse në heshtje. Muzeu Historik Kombëtar mundi që të ndërmerrte një ekspozitë në fund të këtij viti sa i përket shqiptarëve në artin evropian që pak a shumë fillon edhe me periudhën e Ali Pashë Tepelenës, por unë do të thosha që edhe në 201 vjetorin e vdekjes së tij edhe pse me vonesë do ishte mirë të kishte një organizim më të madh të kësaj figure historike kombëtare.

Ju përmendët fjalën dritëhije dhe që këtu fillojnë edhe të gjitha paragjykimet e ndryshme që ngrihen mbi figurën e Ali Pashë Tepelenës. Ne duhet të jemi të sinqertë dhe të kemi një përqasje më të mirë historike sa i përket Ali Pashë Tepelenës. Si të gjitha figurat historike në Shqipëri ato janë të mbështjella me një lloj miti kombëtar dhe folklorik që shpesh nuk na lejojnë të hyjmë në portretin e vërtetë të tyre historik, kulturor dhe mbi të gjitha dhe kontribuues në historinë e Shqipërisë.

Pra çfarë përfaqëson Ali Pashë Tepelena? Në vija të përgjithshme, nëse ne flasim për një shqiptari, kombësi për një prani të shqiptarëve në Epir nëse do të hiqnim figurën e Ali Pashës dhe nuk do ta përmendim ose do ta përmendim siç e ka përmendur historia greke ose apo dhe histografia e vendeve perëndimore si një bandit, një hajdut që e fillon nga asgjë historinë e tij kombëtare dhe prej andej bëhet një udhëheqës, unë do thoja që prania e shqiptarëve në Epir do ishte e vakët dhe pak a shumë do ishte një prani që sot nuk do kishte një rëndësi të madhe historike.

Për arsye se Ali Pashë Tepelena përfaqëson klasën më të rëndësishme të ajanëve, pra të këtyre pronarëve të mëdhenj tokash, feudalëve, mysliman shqiptar të cilët mundën për 200- 300 vjet të zotëronin në Janinë, në Epir dhe rrjedhimisht dhe etnia shqiptare të ishte e pranishme. Rënia e Ali Pashë Tepelenës në 1822, rënia e Lidhjes shqiptare e krijuar mbi kapedanët e Ali Pashës, mbi Omer Vrionin, Ago Vasjarin, Tahir Abazin dhe mbi Zylyftar Podën, solli që në 1909-ën, Mit'hat Frashëri të shkonte në Janinë dhe me keqardhje të shihte se gjuha shqiptare nuk po flitej më; që fëmijët e elitës feudale shqiptare që ishin në administratën osmane më së shumti shkolloheshin në shkollat turqisht dhe greqisht dhe prej andej, Janina e humbi pjesën shqiptare. /J.H/dritare.net